Ky është 61-vjeçari që i mbijeton sulmit të ariut kur e kafshoi në kokë

  • 22 May 2021 - 08:22
Ky është 61-vjeçari që i mbijeton sulmit të ariut kur e kafshoi në kokë

Një burrë në Alaska publikoi fotografi vërtet të rënda të vetes, pasi i mbijetoi sulmit të një ariu të murrmë, ndërsa po shëtiste në pyjet e Alaskës.

Sikur të ishte një skenë nga filmi “The Revenant” me Leonardo di Caprio-n, Allen Minish, 61 vjeç, u kafshua disa herë në kokë nga ariu. Megjithatë, për mrekulli, ai arriti të mbijetojë dhe të kujdesej për plagët deri në mbërritjen e ndihmës së shpejtë.

Prej disa ditësh ai është i shtruar në spital, ku po rimerr veten, edhe pse shenjat e kafshimeve janë ende shumë të dukshme.

“Kur e pashë fillimisht ariun, ishte rreth 10 metra larg, dhe mendova se ishte diçka e bukur”, tha Minish për televizionin lokal të Alaskës, KTUU, partner i CNN. “Kur m’u afrua fillimisht kapa pjesën e poshtme të gojës, por nuk e ndalova dot. Më kafshoi dorën dhe më pas dy herë në kokë”.

Fatmirësisht ariu e lëshoi për aq sekonda sa Minish të mbulonte fytyrën e më pas kafsha u largua. Ai tha KTUU se përdori bluzën që kishte për të ndaluar gjakun deri në mbërritjen e skuadrës së shpëtimit.

Ai tha se ariu nuk kishte faj për atë që ndodhi. “Unë isha në vendin e gabuar, në çastin e gabuar. Gjithçka ndodhi shumë shpejt”.

(Kosova Sot Online )