Albin Kurti: Masakra e Dubravës shënon tjetër dëshmi të gjenocidit të Serbisë

  • E. /
  • 22 May 2021 - 12:15
 Albin Kurti: Masakra e Dubravës shënon tjetër dëshmi të gjenocidit të Serbisë

Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar 22 vjetorin e Masakrës së Dubravës.

Kurti ka postuar në Facebook një nga dëshmitë e të burgosurve në Burgun e Dubravës.

““Duhej të qëndronim në një rresht në një fushë betoni të futbollit rrethuar me roje. Rreth 100 njerëz ishin në një rresht. Qëndruam aty për dhjetë minuta, derisa ishim renditur të gjithë në një rresht. Pastaj, një burrë u ngjit në njërën nga kullat dhe dha urdhër për gjuajtje. Ne pamë gjithçka. Ishte një gjuajtje e njëtrajtshme njëzetminutëshe nga muret e larta 5 metra. Dhe gjithçka ishte e parapërgatitur. Mbanin në duar armë të llojeve të ndryshme. Gjuanin nga muret. Ranë bomba mbi secilin dhe njerëzit fluturonin. Kaosi ndodhi ndërsa të burgosurit iknin për t’u fshehur në ndërtesat e ndryshme të burgut, bodrumet e tyre ose sistemin e kanalizimeve të burgut.” Kjo është vetëm një nga dëshmitë e shumta nga Burgu i Dubravës”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Millosheviqit.

“Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, proces ky i cili ka mbetur i papërfunduar. Sot nuk shihet asnjë gjurmë nga kjo masakër, meqë pavijonet e Burgut të Dubravës kanë qenë ndër të parat që janë rindërtuar menjëherë pas luftës, duke pamundësuar kështu ruajtjen e gjurmëve dhe ngjarjeve që do të na shërbenin për kujtesën kolektive”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)