Fillon seanca e Kuvendit, opozita kundërshton futjen në rend të ditës së dy propozimeve të VV-së

  • E /
  • 27 May 2021 - 11:02
 Fillon seanca e Kuvendit, opozita kundërshton futjen në rend të ditës së dy propozimeve të VV-së

Para miratimit të rendit të ditës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar që në rend të ditës të futet edhe raporti vjetor i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe raporti për emërimin e kryetarëve dhe anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

“Para miratimit të rendit të ditës, dua të propozojë dy pika shtesë. Në emër të GP-së së VV-së propozojë futjen në rend të ditës edhe të dy rekomandimeve të miratuara në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti. I pari ka të bëj me raportin vjetor të punës të AKP-së dhe i dyti me raportin lidhur me emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të ARKEP”, ka thënë ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Por, kjo kërkesë e VV-së ka ngjallur reagime tek opozita.

Deputeti i PDK-së dhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, tha se këto propozime ende nuk janë procesuar në Kuvend.

Ai ka kërkuar që këto pika të mos futen në rend të ditës, deri sa të procesohen.

“Nuk e di pse po bëhet ky anashkalim, kjo nguti, ky proces, kur ende nuk është procesuar raporti i rregullt që duhet. Sot në mëngjes e nënshkrova dhe e procedova për në Kryesi të Kuvendit dhe instanca të tjerë që duhet të hyjë para se me ardhë në procedurë të rregullt gjithçka që ka ndodhë në Komision. Pse duhet që sot të hyjë në pa procedurë dhe ne sot kemi një anashkalim të tillë. Është e vërtetë e madhe që është mbivotu dhe se procesi duhet të shkojë sipas procedurave”, ka thënë Shala.

“Kërkojë që ky vendim të mos futet në rend të ditës derisa të procedohet”, ka thënë më tuitje Shala.

Këtë propozim të VV-së e kanë kundërshtuar edhe LDK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi tha se e kundërshtojnë futjen në rend të ditës të dy pikave të propozuara nga VV-ja. Ai deklaroi se nuk e kuptojnë se pse këto çështje po trajtohen me urgjencë nga VV-ja.

“Mendoj se kërkesa për të futur në rend të ditës, çështje që nuk u janë shpërndarë deputetëve, të cilët nuk janë në gjendje që t’i trajtojnë në mënyre dinjitoze, ne nuk e përkrahim një ide të tillë. Po na përsëriten rastet kur çështjet po vijnë me urgjencë në seancë. Nuk po e kuptojmë këtë urgjencë. Mund të thirrni seancë, nesër ose pasnesër, për çështje që edhe deputetët janë të njoftuar. Janë propozime të rëndësishme që po trajtohen në mënyrë joserioze. Kush prej deputetëve e ka ditë që do të trajtohen këto tema sot. Është shumë joserioze me u propozu kështu”, ka thënë Gashi.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se propozimi i këtyre dy pikave nga VV-ja është në kundërshtim të frymës parlamentare.

“GP i AAK-së e sheh këtë çasje dhe këtë logjikë të kontrabandimit të temave në seancë, si një logjik shumë e gabuar dhe që nuk është në frymën parlamentare. Lidhet me një temë që nuk ka fare urgjencë. Ne jemi kundër kësaj dhe kërkojmë që të bëhet në një seancë tjetër”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)