Ministri Murati i reagon Tahirit rreth shpedicionit të kamionit ku gjendeshin 400 kg kokainë
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se deputeti i PDK-së, Ableard Tahiri ka shpifur kur tha se vëllai i drejtorit të doganës e ka bërë shpedicionin e kamionit ku u gjenden 400 kilogramë kokainë.
Ai tha se kjo është shpifje dhe një gjë e pavërtetë.
“Dua ta adresojë një shpifje për drejtorin e doganave që u bë sot në këtë seancë e që lidhet me implikimin e familjarëve në importimin apo shpedicionin siç u tha së kompanisë për rastin e zënies së kokainës. Po e them që është shpifje dhe e pavërtetë”, ka thënë ai.
Më tutje, ministri i Financave deklaroi se prej se është emëruar drejtori i ri i doganave, Agron Llugaliu, janë arrestuar 10 zyrtarë doganorë për implikime në kontrabandën me duhan dhe barna.
“Prej se u ardh drejtori i ri i Doganës i kemi 10 zyrtarë doganorë të arrestuar për implikime në kontrabandën e duhanit dhe barnave që kapin vlerën miliona euro. Me sa duket kjo e ka prekur edhe një nerv të strukturës që e ka kapur shtetin dhe po tentojnë që ta njollosin drejtorin e ri të doganave”, ka thënë Hekuran Murati.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se ka qenë pikërisht vëllai i drejtorit të doganës, ai i cili e ka bërë shpedicionin e kamionit në të cilin janë kapur 400 kilogramë kokainë në Lipjan.
Më tutje Tahiri tha ky drejtor do duhej shkarkuar menjëherë nga Kurti.
“Tek drejtoi i Doganave. Nuk desha ta përmend por e përmende si storie të suksesshme rekrutimin e këtij drejtori. Qysh është e mundshme që shpedicionin e kamionit në të cilin janë zënë 400 kilogramë kokainë e ka bërë vëllai i drejtorit të doganave. Si është mundur. Në rrethana normale ky drejtor ish dashur që të suspendohet menjëherë. Kjo është e tmerrshme z. kryeministër. kjo nuk është aferë por është megaferë”, ka thënë ai.
(Kosova Sot Online)