![](/uploads/kosova-sot/images/2021/June/02/200x200_a11622613597.webp)
Lexoni edhe:
Edhe drejtësia ta merr modelin e kabinetit qeveritar, për fillimin urgjent të luftës antikrim
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka thënë se në rast se e merr besimin e qytetarëve për të udhëheqë kryeqytetin, ai do të kërkoj uljen e doganës për automjetet më të reja në mënyrë që të ndodh përmirësimi i cilësisë së ajrit.
Haradinaj ka thënë se Prishtina është më e ndotur se qytetet e tjera për shkak të dyndjes së madhe të automjeteve që përdoren për transport.
“Prishtina si Kryeqytet me 30% të popullsisë totale të Kosovës, është më e ndotur se qytetet e tjera për shkak të dyndjes së madhe të automjeteve që përdoren për transport. Gjithashtu, edhe nga profesionistë të fushës vërtetohet një gjë e tillë, ku sipas tyre mjetet e transportit mbeten ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kryeqytet”, ka shkruar Haradinaj në Llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka thënë se përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve të Prishtinës do të jetë prioritet i qeverisë së ardhshme.
“Në shërbim të përmirësimit të cilësisë së ajrit, nëse e marr besimin e qytetarëve, gjatë mandatit tim qeverisës do të insistoj nga institucionet përkatëse (Qeveria dhe Kuvendi) për uljen e doganës për automjetet më të reja. Pra, sa më i ri që është automjeti, aq më e ulët të jetë dogana. Përveç përfitimit për qytetarët, kjo nismë legjislative do të merrte përkrahje edhe nga komunat e tjera, dhe bizneset që si fushëveprimtari kanë tregtinë me automjete. Përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve, do të jetë prioritet i qeverisjes së ardhshme”, është shprehur Daut Haradinaj.
(Kosova Sot Online)