Si është gjendja shëndetësore e Thaçit dhe të tjerëve, Dhomat e Specializuara kanë disa fjalë për krerët e UÇK-së
Janë bërë 10 muaj që nga arrestimi i ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe shefit të Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj dhe ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Të arrestuarit e Speciales po mbahen në qendrën e paraburgimit nga Gjykata Speciale.
Mirëpo, ende nuk është dhënë ndonjë detaj se si është gjendja shëndetësore e tyre. Dhomat e Specializuara nuk deklarohen për gjendjen e të arrestuarve.
“Për arsye të privatësisë, DHSK-ja nuk jep informacion publik në lidhje me situatën specifike të kujdesit shëndetësor të të paraburgosurve”, kanë thënë Dhomat e Specializuara
Por pritet të fillojë gjykimi për Thaçin dhe të tjerët në shtator, kjo zyre kanë thënë se gjykatësi i procedurës paraprake ende nuk ka marrë vendim se kur do t’ia kalojë dosjen e çështjes trupit gjykues.
“Çështja Prokurori i Specializuar kundër Thaçit dhe të tjerëve aktualisht është në fazën e procedurës paraprake. Gjatë kësaj faze, gjykatësi i procedurës paraprake mund të mbajë seanca, sipas nevojës, për përgatitjen e procedurave dhe vendosë mbi kundërshtimet fillestare të ngritura nga i akuzuari (referuar si mocione paraprake). Prokurori i Specializuar duhet t’i tregojë Mbrojtjes provat që mbështesin aktakuzën dhe deklaratat e të gjithë dëshmitarëve që Prokurori i Specializuar ka ndërmend t’i thërrasë në gjykim, si dhe dokumentet dhe provat materiale të cilat synon t’i paraqesë në gjykim”.
“Gjithashtu, mbrojtja duhet t’i tregojë Prokurorit të Specializuar listën e dëshmitarëve dhe çdo provë tjetër që ata synojnë të përdorin. Ky quhet procesi i nxjerrjes së materialeve. Në seancat e fundit publike, Mbrojtja dhe Prokurori i Specializuar kanë diskutuar lidhur me atë se kur mund të përfundojë ky proces. I takon gjykatësit të procedurës paraprake të vendosë, bazuar në argumentet e palëve, se kur do të dorëzohet dosja paraprake. Pas përfundimit të përgatitjeve gjykatësi i procedurës paraprake ia kalon dosjen e çështjes trupit gjykues prej tre gjykatësish dhe një gjykatësi rezervë, të cilët caktohen nga Presidenti. Vetëm atëherë përfundon faza e procedurës paraprake dhe fillon faza e gjykimit. Data e kalimit të dosjes së çështjes trupit gjykues dhe data e fillimit të gjykimit nuk janë caktuar ende”, kanë deklaruar nga DHSK-ja.
Kurse, për viktimat tjera të paraqitura në Hagë, nga DHSK-ja kanë bërë me dije se kërkesat për të marrë pjesë në procedura si viktimë po mbahen konfidenciale dhe ato ndahen vetëm me gjykatësin e procedurës paraprake ose trupin gjykues.
“Vetëm kur Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave paraqet një raport publik ose kur gjykatësi (t) publikon një vendim në lidhje me pjesëmarrjen e viktimave, disa informacione rreth procesit do të bëhen publike. Të gjitha parashtrimet publike para DHSK-së janë në dispozicion në faqen tonë të internetit”, thuhet në përgjigjen elektronike të Dhomave të Specializuara.
(Kosova Sot Online)