​KQZ-ja vendosi të mos i ndalen anëtarëve të saj kompensimet financiare për punën shtesë

  • E. /
  • 07 June 2021 - 14:11
 ​KQZ-ja vendosi të mos i ndalen anëtarëve të saj kompensimet financiare për punën shtesë

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është miratuar raporti i shpenzimeve për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, që kanë kushtuar 4 milionë 469 mijë e 764 euro.

Ndërsa për rritjen e shpenzimeve për dreka dhe për letër ka pasur reagime nga anëtarët e VV- në KQZ, derisa këto shpenzime i ka arsyetuar Kryesuesi i Këshillit për Buxhet Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

KQZ po ashtu vendosi që mos të hiqen kompensimet për punën shtesë për zgjedhjet lokale.

Në këtë mbledhje po ashtu është bërë edhe shqyrtimi dhe miratimi i rishikimit të buxhetit për vitin 2021. Elshani, theksoi se buxheti aktual i KQZ-së është 7 milionë e 64 mijë, dhe në këtë buxhet është i përfshirë edhe për raundin e dytë për zgjedhjet lokale që parashihet të mbahen në vjeshtë.

“Këshilli për Buxhet gjithashtu ka shqyrtuar raportin e shpenzimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2021. Mjetet financiare janë alokuar ato të cilat kanë qenë të dedikuara për zgjedhjet lokale në parlamentare. Ato mjete janë bartur dhe janë shpenzuar në zgjedhjet nacionale. Dhe nga planifikimet prej 5 milionë e 578 mijë e 712 euro janë shpenzuar 4 milionë e 469 mijë e 764 euro ose në total prej 80 përqind në raport me planifikimet e Sekretariatit”, tha Elshani.

Ndërsa, anëtari i Komisionit Sami Kurteshi ngriti çështjen e rritjes së shpenzimeve, për çka ai veçoi për letër, dreka zyrtare dhe uljen e shpenzimeve për derivate.

“Nuk kam parë një vlerësim të drejt të shpenzimeve, veçanërisht të trajtimit të votueseve jashtë Kosovës… Letra që është shpenzuar, sepse me sa di unë janë bërë shpenzime relativisht të mëdha për këtë çështje. Në këtë institucion janë shtypur mbi 1 milion fleta-letra të ndryshme. Derivate për vetura janë paraparë 20 mijë euro, siç duket janë shpenzuar 3056. Kjo duhet parë më kujdes. Dreka zyrtare gati 7 mijë e 300 euro, por në vitin e kaluar ne nuk kemi pasur takime zyrtare, me dijen time në nivel të KQZ-së që do t’i arsyetonte këto shpenzime për dreka zyrtare”, theksoi Kurteshi.

Ndaj çmimeve për letër, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se vetëm vitin e kaluar janë shpenzuar gati 12 mijë euro pse 1 mijë euro më pak se vitin 2019.

“Sa I përket letrës A3, A4 kemi shpenzime 11 mijë e 839 euro, ndërsa në krahasim me vitin 2019 janë 13 mijë euro. Vetëm këtë e gjeta, të tjera ndoshta mundet me na dhënë shpjegime edhe drejtoresha e financave”, theksoi Daka.

Ndërsa, Arianit Elshani anëtar i KQZ-së) i cili prezantoi raportin e shpenzimeve, tha se trendi i këtyre shpenzimeve ka qenë më i ulët.

Sa i përket drekave zyrtare, ai tha se ato janë shpenzuar në raport me kryetarët e KKZ-ve dhe për anëtarë të KQZ-së dhe sekretariatin për shujta.

“Sa I përket derivateve të naftës në raport me vitet e kaluara është shumë më e vogël e shpenzimeve në raport me të kaluarën. Sa I përket drekave zyrtare janë të përfshira takimet që bëhet në kuadër të sekretariatit në raport me trajnimet, KKZ-të, me zyrtarë të lartë komunalë, pastaj janë edhe këto që u takojnë anëtarëve të KQZ-së dhe zyrtarë të tjerë në kuadër të Sekretariatit për periudhën zgjedhore. Kështu që nëse bëjmë një krahasim me vitet e kaluara, tendenca është drejt uljes së këtyre shpenzimeve[…]Sipas sqarimeve që i kemi drekat zyrtare janë përfshirë edhe takimet që bëhen me zyrtarë të lartë komunal, për vëzhguesit e huaj që kanë ardhur për vëzhgim të zgjedhjeve dhe në raport me mëditjet që i keni për shujta që i keni si anëtarë të KQZ-së dhe të zyrtarëve të sekretariatit që iu takojnë sipas rregullores që është në fuqi”, u shpreh ai.

Gjatë rishikimit të buxhetit për zgjedhjet lokale të rregullta që do të mbahen sivjet, Kurteshi ka thënë se nuk duhet të ketë mëditje për orare shtesë.

Për këtë ka reaguar, anëtari tjetër i KQZ-së nga LDK-ja Florian Dushi, i cili tha se pavarësisht që janë zgjedhjet lokale sivjet të rregullta, duhet të vazhdoj praktika për kompensim të punës jashtë orarit për anëtarët e KQZ-së dhe tjerët.

“Unë pajtohem që ky planifikim edhe kjo pjesa e punës jashtë orarit, pavarësisht se janë zgjedhjet e rregullta, megjithatë mund të ketë raste kur punohet jashtë orarit të punës. Prandaj, unë jam që mos të prekim planifikimin, por kjo të rregullohet në mënyrë strikte me akte përkatëse brenda KQZ-së për ndarjen e pagesës për punë jashtë orarit”, tha Dushi.

Në këtë mbledhje kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka njoftuar anëtarët për përgatitjet e zgjedhjeve komunale që pritet të mbahen në vjeshtën e vonë të këtij viti. Po ashtu u theksua se aktualisht në Kosovë janë të regjistruara 47 parti politike.

(Kosova Sot Online)