Një burrë thotë se gruaja e tij ka lindur dhjetënjakë
Një burrë nga Afrika Jugore ka pretenduar se gruaja e tij ka lindur dhjetënjakë. Ky do të ishte rekord botëror, nëse vërtetohet nga mjekët.
Gosiame Thamara Sithole, 37 vjeçe, e cila tashmë është nënë e binjakëve, lindi shtatë djem e tri vajza përmes prerjes cezariane në një hospital në Pretoria në orët e vona të së hënës, tha bashkëshorti i saj.
Tebogo Tsotetsi, i cili tash për tash është i papunë, rrëfeu para gazetarëve për lindjen e dhjetënjakëve të hënën në mbrëmje, duke thënë se është i gëzuar dhe me emocione.
Ky pretendim erdhi vetëm një muaj pasi një grua nga Mali – Halima Cisse – lindi nëntënjakë në një spital në Marok. Besohet se lindja e pazakontë ishte rezultat i trajtimit artificial.
Gazeta britanike, Daily Mail, nuk ka mundur që ta vërtetojë në mënyrë të pavarur lindjen e dhjetënjakëve, sepse nuk është publikuar emri i spitalit ku pretendohet të ketë ndodhur lindja.
“Janë shtatë djem e tri vajza. Jam i lumtur. Jam i emocionuar. S’mund të flas shumë”, tha para gazetarëve ai që mund të jetë “baba rekordmen”.
(Kosova Sot Online)