Qeverisë Kurti i kërkohet t’i vaksinojë punëtorët e sektorit privat

  • E /
  • 09 June 2021 - 09:45
 Qeverisë Kurti i kërkohet t’i vaksinojë punëtorët e sektorit privat

Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga Kryeministri Albin Kurti dhe Ministria e Shëndetësisë që ta gjejnë mundësinë për vaksinimin e të punësuarve të sektorit privat.

Sipas Odës së Afarizmit, kjo kërkesë po bëhet me arsyen se së shpejti Bashkimi Evropian pritet të kushtëzojë lëvizjen e qytetarëve në bazë të vaksinimit.

“Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) përmes një shkrese ka kërkuar nga Kryeministri i vendit Albin Kurti dhe Ministria e Shëndetësisë që sa më parë të gjendet mundësia dhe të fillojë vaksinimi i të punësuarve të sektorit privat në mënyrë që të mos ketë pengesa në lëvizjen e të punësuarve të tyre për çështjet biznesore. Një kërkesë e tillë nga Oda e Afarizimit të Kosovës vije me shkas, kjo pasi Bashkimi Europian shumë shpejt pritet të kushtëzojë lëvizjen e qytetarëve në bazë të vaksinimit”, thuhet në kërkesën e OAK.

Sipas OAK, vaksinimi i kësaj kategorie duhet të jetë me prioritet, pasi punonjësit e sektorit provat duhet të vazhdojnë ushtrimin e veprimtarisë dhe janë të rrezikuar për infektim dhe përhapje të virusit për shkak të kontakteve të shumta që kanë.

“OAK vlerëson se një gjë e tillë do të paraqesë pengesa dhe vështirësi të jashtëzakonshme në lëvizjen e stafit të sektorit privat për udhëtime jashtë vendit, qoftë për furnizim me lëndë të parë, produkte apo gjysmëprodukte ashtu edhe për marrëveshjet dhe vazhdimin e kontratave të tyre ndërkombëtare. Po ashtu, vaksinimi i kësaj kategorie duhet të jetë me prioritet  për shkak se të njëjtit duhet të vazhdojnë ushtrimin e veprimtarisë së tyre dhe kësisoj janë shumë të rrezikuar për infektim dhe përhapje të virusit për shkak të kontakteve të shumta që këta të fundit kanë”, thuhet në kërkesën e OAK.

(Kosova Sot Online)