Zhdukja misterioze e biznesmenit kosovar, familja ofron 20 mijë euro për ata që japin informata për të

  • E. /
  • 09 June 2021 - 14:19
 Zhdukja misterioze e biznesmenit kosovar, familja ofron 20 mijë euro për ata që japin informata për të

Me 8 qershor janë bërë dy muaj prej kur Bedri Rexhepi nga Lipjani është zhdukur dhe askush nuk di për fatin e tij. Familja e tij, tash po kërkon ndihmën e qytetarëve për ta gjetur Bedriun, madje për këtë po ofron edhe një shumë të majme parash.

Qe dy muaj askush nuk ka pasur asnjë informatë për Bedri Rexhepin nga Lipjani.

Ai u zhduk në rrethana misterioze mbrëmjen e 8 prillit, ndërkaq lidhur me zhdukjen e tij është arrestuar Jeton Vllasaliu, i cili po qëndron në paraburgim nën dyshimet se ka gisht në kidnapimin e Bedriut.

Familja Rexhepi tashmë ka gjetur një mënyrë tjetër për ta kërkuar Bedriun. Ata po dërgojnë mesazhe përmes telefonisë mobile tek qytetarët, për të kërkuar ndihmë në gjetjen e tij.

“Vellau jone Bedri Rexhepi nga data 08.04.2021 rreth ores 18:30 eshte zhdukur ne komunen e Novoberdes me veturen me targa 05 406 EJ. Ju lutemi kushdo qe ka informacione per vendndodhjen e Bedriut na lajmeroni ne nr e telefonit  0038348400052, pervec mirenjohjes qe do kemi si familje, ne do te ju shperblejme edhe me shumen prej 20,000 €, si dhe te dhenat e juaja do te jene konfidenciale”, thuhet në mesazhin që familja Rexhepi po ua dërgon qytetarëve.

Vëllai i Bedriut, Adnan Rexhepi, ka deklaruar se familja po kërkon ndihmë qytetarët për gjetjen e tij, pasi sipas tij, institucionet nuk kanë bërë asgjë deri më tani.

“Po shpresojmë se dikush na informon, ajo pjesa kah Novobërda po hezitojnë me folë, po frikësohen, ndoshta me shpërblim tregon dikush diçka, sepse nuk është territor që mund të kalojë dikush e të mos e shohë askush. Kemi shpresë se na ndihmon dikush, sepse deri më tani s’kemi hiç asnjë informatë. Kemi kontaktu me prokurorinë e me policinë, por asnjë informatë, si zakonisht po na thonë ‘hetimet vazhdojnë’”, ka deklaruar Rexhepi.

Ndryshe, media ka raportuar në vazhdimësi për zhdukjen e Bedri Rexhepit.

Gazeta ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës më 28 prill dhe më 24 maj, por në asnjërën prej këtyre kërkesave nuk ka marrë përgjigje lidhur me rastin e zhdukjes së Bedri Rexhepit.

(Kosova Sot Online)