Lexoni edhe:
Lajm i mirë: Asnjë i vdekur dhe 5 raste të reja me COVID-19
Presidentja Vjosa Osmani ka kohë që nuk pajtohet me kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën. Në janar, ajo kishte paralajmëruar masa ndaj institucionit që i organizon zgjedhjet, ndërsa u raportua se edhe si ushtruese e detyrës së presidentes atë kohë, mund t’i shkojë mendja edhe ta shkarkojë nga detyra kryetaren e KQZ-së. Sot, Osmani i ka kërkuar kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakës, të dorëhiqet nga pozita e saj në këtë institucion, në këmbim të një mirënjohjeje nga Presidenca.
Që para zgjedhjeve të fundit, Osmanit s’i kishte pëlqyer jo vetëm moscertifikimi i listës së kandidatëve të LVV-së për deputetë në zgjedhjet e fundit, të cilët ishin dënuar në 3 vitet e fundit, përfshirë Albin Kurtin. Osmani ishte irrituar nga deklaratat e Dakës që para se ta shpallte datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Lajm i mirë: Asnjë i vdekur dhe 5 raste të reja me COVID-19 Lexoni edhe:
Në emër të mbrojtjes së integritetit të KQZ-së, që nga janari u paralajmërua mundësia që Vjosa Osmani ta shkarkonte kryetaren e këtij organi, Valdete Dakën, të cilën e ka edhe kushërirë. Me një adresim të pazakontë, Osmani kishte paralajmëruar masa, ndërsa ishte raportuar se ligji për zgjedhjet e përgjithshme i jep asaj të drejtë që ta shkarkojë nga detyra kryetaren e KQZ-së.
“Në rast se përballemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ-në për të shtyrë përpara agjenda partiake nga ana e anëtarëve të KQZ-së, do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për integritetin e KQZ-së dhe procesit zgjedhor”, shprehej Osmani.
Mbledhjen e gjatë të KQZ-së ku në fund ishte vendosur që të mos certifikohej lista e LVV-së ku bënte pjesë edhe vetë ajo, Osmani e kishte cilësuar të pahijshme.
“Ajo çfarë kemi parë dje në KQZ ka qene paprecedentë, e pahijshme dhe e papranueshme për një institucion që duhet të bëj çmos që ta mbrojë integritetin. Në transmetime të drejtpërdrejte u bë presion marramendës ndaj drejtorit të Zyrës për Certifikimin e Subjekte Politike”, thoshte Osmani.
Ajo vlerësonte se kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka duhej ta përmbushte detyrimin e saj ligjor ashtu siç është betuar, gjë të cilën Daka tha se po e bënte gjatë mbledhjes në KQZ, ku kërkoi dokumente shtesë nga Zyra për Certifikimin e Subjekteve Politike, duke përmendur rrezikun se mund të shkelej ligji dhe Kushtetuta.
Që para se ta caktonte datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Vjosa Osmani si ushtruese e detyrës së presidentes nuk donte ankesa nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve, të cilat ajo do t’i shpallte sapo t’i mbërrinte në zyrë aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, që e kishte rrëzuar Qeverinë Hoti.
Osmani më 22 dhe 23 dhjetor të vitit të kaluar i kishte takuar ndaras përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar lidhur me datën më të favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Për ditën e zgjedhjeve, ajo nuk kishte folur me KQZ-në, ndërsa kryetarja e organit përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, Valdete Daka kishte thënë për Express se Osmani do të duhej të konsultohej edhe me ta.
Daka shpresonte që Osmani ta kishte parasysh kërkesën e KQZ-së dhe ta shfrytëzonte afatin maksimal kushtetues për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Po tash natyrisht që edhe KQZ-ja duhet të konsultohet për afatet dhe datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Ne e dimë që është në diskrecion të ushtrueses së detyrës së presidentes që t’i shpallë zgjedhjet. Me siguri që ajo do t’i ketë parasysh të gjtiha kërkesat, si të partive politike, ashtu edhe kërkesën e KQZ-së”, kishte thënë Daka.
Shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, atëherë ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, më 4 janar kishte thënë se do ta bënte “në momentin që vjen aktgjykimi” sepse, siç tha, “shumica dërmuese e partive gjatë konsultimeve që i kishim kanë shprehur gatishmëri që në zgjedhje të shkohet sa më shpejt”. Me këtë rast, Osmani gjithashtu i kishte çuar mesazh KQZ-së që t’i organizojë zgjedhjet shpejt, ashtu siç kishte bërë në të kaluarën dhe i kishte kërkuar Valdete Dakës që të mos ankohej. Ajo kishte shtuar se në vend se të shpreh shqetësime, KQZ-ja duhet të punonte.
“Proceset e ndryshme që ekzistojnë brenda KQZ-së, që zakonisht mund të ketë ankesa që zgjasin shumë, janë të tilla, mirëpo nuk besoj që duhet të dëgjojmë ankesa. Nuk është hera e parë që KQZ-ja organizon zgjedhje brenda 40 ditësh, ka ndodhur edhe më herët. Ashtu siç i kanë bërë përgatitjet në të kaluarën dhe kanë dalë publikisht kanë folur me konfidencë të plotë që të gjitha përgatitjet do të bëhen dhe qytetarët do ta kenë mundësinë të votojnë dhe ta realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese, unë pres dhe kërkoj që KQZ-ja… Unë nuk besoj që duhet ta dëgjojmë KQZ-në tani duke shprehur shqetësime, por duhet ta shohim KQZ-në duke punuar dhe duke i bërë përgatitjet e nevojshme në mënyrë që qytetarëve tanë por edhe atyre që jetojnë në mërgatë sa më shpejt që të jetë e mundur t’u ofrohet mundësia e votimit”, kishte thënë Osmani në “Kallxo.com”.
Në anën tjetër, Daka ishte shprehur se “në çfarëdo date që e caktojnë, ne do t’i organizojmë zgjedhjet”, por kishte shtuar se do të ishte më mirë t’u lihet më shumë kohë, duke kërkuar një mundësi që organizimi të bëhet sa më mirë.
“Normalisht se sa më shumë kohë që kemi, aq më shumë kemi mundësi t’i përgatisim zgjedhjet më mirë dhe t’ju japim hapësirë të gjithë qytetarëve të votojnë. Ne kemi obligim kushtetues t’i organizojmë zgjedhjet, mirëpo sa më shumë kohë që na lihet, është më mirë. Ne vetëm po kërkojmë që të na jepet një mundësi që sa më mirë t’i organizojmë zgjedhjet dhe ta kemi komoditetin e kohës”, kishte thënë Daka.
Osmani paraprakisht, ishte shprehur se “në kohë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk ka orar pune, punohet 24 orë”. Ndërkaq Daka, kishte thënë se ata gjithsesi do të punonin jashtë orarit.
“Jashtë orarit gjithsesi do të punojmë. Për ne më orari nuk do të jetë deri në orën 16:00”, kishte thënë ajo.
Kryetarja e KQZ-së ankohej po ashtu se ende nuk ishte alokuar buxheti i nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve.
(Kosova Sot Online)