PDK-ja mbledh nënshkrime për ta çuar në Kushtetuese shkarkimin e Dakës

  • E. /
  • 17 June 2021 - 10:49
 PDK-ja mbledh nënshkrime për ta çuar në Kushtetuese shkarkimin e Dakës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka konfirmuar se i kanë të gjitha nënshkrimet e nevojshme për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin e presidentes, Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ajo poashtu i ka bërë thirrje edhe partive të tjera që të bashkohen në këtë iniciativë të PDK-së.

“PDK-ja i ka të gjitha nënshkrimet e nevojshme që vendimin e Osmanit për shkarkimin e zonjës Daka ta çojë në Gjykatën Kushtetuese. I ftojmë edhe partitë e tjera që të na bashkëngjiten”, ka thënë ajo.

Lidhur me vendimin për shkarkimin e Dakës, Deliu-Kodra tha se vlerësojnë se është tendencë për një qeverisje autoritare.

”PDK-ja këtë vendim e sheh si tendencë të një qeverisje autoritare,  e cila provon që të vë në kontroll të gjitha institucionet kyçe. Shkarkimi është politik dhe dëmton demokracinë. Shkarkimi i saj është bërë pas zgjedhjeve të rregullta dhe demokratike që morën vlerësime edhe nga ndërkombëtarët dhe para atyre lokale”, ka thënë Deliu Kodra.

Sipas Deliu-Kodrës, presidentja Osmani e ka zbatuar urdhrin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e Dakës nga KQZ-ja.

“PDK-ja vlerëson që shkarkimi i saj është kryekëput politik. Presidentja Osmani e ka shkelur Kushtetutën duke e zbatuar urdhrin e Albin Kurtit dhe VV-së për kapjen e këtij institucioni”, ka thënë ajo.

Fjalë të mira ajo pati për punën që Daka e ka bërë për disa vite në krye të KQZ-së.

Ajo poashtu përmendi edhe siç i ka quajtur ajo presionet e anëtarëve të VV-së në KQZ, kundrejt Dakës.

(Kosova Sot Online)