Ambasadorët shqiptarë kërkojnë nga Lajçak të vetëpërmbahet nga qëndrimet emocionale në dialog

  • 18 June 2021 - 13:49
Ambasadorët shqiptarë kërkojnë nga Lajçak të vetëpërmbahet nga qëndrimet emocionale në dialog

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka mirëpritur rifillimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, duke thënë se këto bisedime duhet të përfundojnë me njohje reciproke, njofton Insajderi.

Nëpërmjet një komunikate, KASH ka dërguar porosi për emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, duke e inkurajuar që në këtë proces “të vijojë të udhëhiqet nga parimet mbi të cilat është ndërtuar dialogu duke ushtruar vetëpërmbajtje prej qëndrimeve emocionale të padobishme”.

“Kjo, jo vetëm që do ishte në interesin më të mirë të të dyja vendeve, por do ishte një hap i madh drejt forcimit të paqes, stabilitetit dhe perspektivës Euro-Atlanike të rajonit tonë”, thuhet në këtë komunikatë.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson fuqimisht se stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit tonë është pandashmërisht i lidhur me garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të secilit shtet, respektimin e parimeve të demokracisë dhe të drejtave të njeriut si dhe mbrojtjen dhe avancimin e pozitës së pakicave etnike”.

Këshilli ka theksuar rëndësinë e liberalizimit sa më parë të vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Evropian, tashmë kur të gjitha kushtet janë përmbushur prej kohësh.

“E ardhmja e Republikës sȅ Kosovës është nën ombrellën e BE-së dhe NATO-s dhe vlerat Euro-Atlantike janë të mishëruara thellë në themelin shtetit të Kosovës”, përfundon komunikata.

(Kosova Sot Online )