Supremja refuzon pretendimin e mbrojtjes se Liridon Uruqi vrau shokun e tij nga pakujdesia

  • E. /
  • 19 June 2021 - 12:50
 Supremja refuzon pretendimin e mbrojtjes se Liridon Uruqi vrau shokun e tij nga pakujdesia

Gjykata Supreme përfundimisht ka konstatuar se i dënuari Liridon Uruqi, vrasjen e tani të ndjerit Fatlind Arifi e kishte kryer me dashje dhe jo nga pakujdesia.

Këtë konstatim, Gjykata Supreme ka dhënë në aktgjykimin me të cilin ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së paraqitur nga mbrojtja e Uruqit, kundër aktgjykimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe asaj të Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Uruqi akuzohej se në korrik të vitit 2018, në fshatin Bresalc të Gjilanit, pasi kishte nxjerrë armën e tipit “TT”, të njëjtën e kishte repetuar dhe derisa ishte duke e kontrolluar nëse kishte ndonjë plumb në tytë, e kishte prek këmbëzën e cila shkrep predhën më të cilën goditet për vdekje, i ndjeri Arifi, raporton Betimi për Drejtësi.

Për këtë akuzë, Gjykata Themelore në Gjilan, më 4 dhjetor 2019 të akuzuarin Uruqi e kishte dënuar me 18 vjet e 6 muaj burgim pasi e kishte shpallur fajtor për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas Themelores, në këtë rast Uruqi kishte vepruar me dashje eventuale, ndërsa mbrojtja mbronte teorinë se deri tek vrasja kishte ardhur si rezultat i pakujdesisë.

Këtë aktgjykim të Gjykatës në Gjilan e kishte vërtetuar pastaj edhe Gjykata e Apelit.

Mirëpo, mbrojtja pretendonte se të dy këto aktgjykime ishin marrë me shkelje të dispozitave procedurale dhe të ligjit penal. Për këtë arsye, me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë i ishte drejtuar Gjykatës Supreme.

Në këtë kërkese, avokati Blerim Halimi theksonte se nuk ishte argumentuar dashja e të dënuarit Uruqi për kryerjen e vrasjes dhe kjo sipas tij, vërtetohej edhe nga fakti se i ndjeri dhe i dënuari nuk kishin pasur asnjëherë mosmarrëveshje mes tyre.

Sipas mbrojtjes, gjykata nuk i kishte vlerësuar deklaratat e prindërve të të ndjerit dhe dëshmitarëve tjerë, se i ndjeri dhe i dënuari nuk kishin pasur asnjëherë probleme mes tyre.

Në kërkesën drejtuar Supremes, mbrojtja argumentonte se i ndjeri dhe i dënuari ishin shokë mes tyre dhe se deri të shkrepja e armës kishte ardhur si rezultat i pakujdesisë së të dënuarit gjersa i njëjti kishte qenë duke e kontrolluar armën.

“Mungesa e dashjes eventuale argumentohet me faktin se i dënuari nuk ka qenë i vetëdijshëm se nga veprimi i tij mund të vij deri te pasoja përkatësisht asnjëherë nuk është pajtuar që të shkaktohet vdekja e dikujt përfshirë edhe tani të ndjerin Fatlind, pra i dënuari asnjëherë nuk është pajtuar që të shkaktohet vdekja e të ndjerit . Gjykata e ka shkelur ligjin penal në dëm të dënuarit edhe kur nuk e ka ricilësuar veprën penale nga vrasja në vrasje nga pakujdesia edhe pse për një gjë të tillë ishin plotësuar kushtet ligjore”, thuhej në kërkesën e mbrojtjes.

Ndërsa si shkelje esenciale të procedurës penale, mbrojtja theksonte se dispozitivet e aktgjykimit të shkallës së parë ishin kundërthënës me arsyetimin e saj.

Përkundër këtyre pretendimeve të mbrojtjes, Gjykata Supreme ka vendosur se gjykata e shkallës së parë dhe ajo e Apelit, drejt kanë konstatuar se i dënuari kishte kryer vrasjen nga dashja eventuale, pasi i njëjti kishte qenë i vetëdijshëm se si rezultat i veprimit të tij, mund të shkaktohet pasoja, të cilën e ka pranuar të shkaktohet.

“Në rastin konkret nga shkresat e çështjes dhe aktgjykimet e kundërshtuara rezulton se ditën kritike me datën 28.07.2018 i dënuari ka vepruar me dashje eventuale që vërtetohet si nga provat formale dhe materiale të administruara e të cilat gjenden në shkresat e lëndës. Nga këto prova gjykatat drejt kanë vlerësuar se i dënuari ka qenë i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit të tij dhe ai ka pranuar shkaktimin e saj”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Sipas këtij aktgjykimi, i dënuari ka mundur edhe të mos ketë pasur qëllimin e vrasjes, por sidoqoftë ai ka qenë i vetëdijshëm se me veprimet e tij krijohet mundësia që të kryhet kjo vepër penale.

“I dënuari me veprimet e veta ka mundur që të mos ketë pasur qëllim shkaktimin e pasojës së caktuar që ka tiparet e veprës së ndaluar e as shkaktimin e saj mirëpo ka qenë i vetëdijshëm se me ndërmarrjen e veprimit krijohet një mundësi e madhe apo një rrezik i madh se do të kryhet vepra dhe do të shkaktohet pasoja të cilën e parasheh si të mundshme. Te dashja eventuale kryesi supozon, me një përqindje të madhe se ajo vepër mund të shkaktohet dhe ai pajtohet me të”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.

Gjykata Supreme ka arsyetuar se nuk qëndron pretendimi i mbrojtjes se të dënuarit se vrasjen e kishte kryer nga pakujdesia, pasi nga dëshmitarët, ekspertiza balistike, psikiatrike dhe raporti i vendit të ngjarjes ishte vërtetuar se në veprimet e të akuzuarit kishte ekzistuar dashja eventuale.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, të pabazuara janë pretendimet e të dënuarit dhe mbrojtësit të dënuarit se i dënuari veprën penale e ka kryer nga pakujdesia. Ky pretendim nuk qëndron sepse në rastin konkret përveç me provat që u arsyetuan në këtë aktgjykim si më lartë kjo vërtetohet edhe nga ekspertiza psikiatrike e Dr. Afrim Canaj që ka konstatuar se te i dënuari nuk janë gjetur elemente të humbjes mendore apo të prapambetjes mendore apo dëmtime të tjera kognitive posroumatike, e ka përjashtuar çrregullimin mendor si pasojë e dëmtimit të trurit apo çrregullime psiqike”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Sa i përket faktit se i ndjeri dhe viktima kishin pasur raporte të mira, Supremja ka arsyetuar se raportet e mira nuk kanë ndonjë relevancë në kualifikimin e veprës penale të vrasjes por vetëm në vlerësimin e rrethanave të vendimit mbi dënim.

Ndryshe, Prokuroria e Gjilanit fillimisht Uruqin e ngarkonte me tri vepra penale, për vrasje të rëndë, kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

Por në fjalën përfundimtare, prokurori Agron Uka, kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, ku nga vrasje e rëndë, Uruqi tani akuzohej për vrasje të rëndomtë.

Gjykata në Gjilan e kishte dënuar edhe një herë më parë Uruqin për këtë vrasje. Më 23 prill 2019, ai ishte dënuar me 25 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo ai aktgjykim ishte prishur nga Apeli në shtator 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës, më 28 korrik 2018, në fshatin Bresalc-Komuna e Gjilanit, Liridon Uruqi, me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje ka privuar nga jeta, tani të ndjerin Fatlind Arifi.

Këtë, sipas aktakuzës, e kishte bërë në atë mënyrë që me revole ka gjuajtur në drejtim të të ndjerit, të cilin e godet në anën e majtë të kraharorit, me ç’rast nga plagët e marra i njëjti nuk ka mbijetuar dhe ka ndërruar jetë teksa po e dërgonin për në spital.

Me këto veprime, ai akuzohej fillimisht se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”,  por pastaj prokuroria e kishte rikualifikuar veprën penale në vrasje.

Gjithashtu, Uruqi, akuzohej se me dashje, të njëjtën armë ia drejton fillimisht të dëmtuarve-dëshmitarëve K.H, dhe L.M, pastaj edhe të dëmtuarit-dëshmitarit G.A, duke e ngreh këmbëzën e revoles.

Në këtë mënyrë, sipas prokurorisë, ai akuzohej se ka kryer edhe veprën penale të mbetur në tentativë “Vrasje e rëndë”.

Sipas dispozitivit numër III të aktakuzës, Uruqi akuzohej se pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, ka mbajtur në pronësi armën, me të cilin ka kryer vrasjen.

Me ç’rast, ai akuzohej edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

(Kosova Sot Online)