Edhe ish-prokurorja e EULEX në Kosovë, zbulon skandale të këtij misioni: Bashkëpunuan me Serbinë (Video)

  • G.g /
  • 25 June 2021 - 11:09
Edhe ish-prokurorja e EULEX në Kosovë, zbulon skandale të këtij misioni: Bashkëpunuan me Serbinë (Video)

Beogradi rezulton se ishte pikndalesa ku EULEX-i dërgoi dhjetëra dosje për krimet e luftës në Kosovë.

EULEX fillimisht e  mohoi këtë fakt, por më pas konfirmoi për bashkëpunim me Serbinë për disa raste të krimeve të luftës. Ky mision tha se këtë e bëri në prani të prokurorëve kosovarë.

Edhe pse Prokuroria e Serbisë mori dhjetëra dosje nga EULEX-i, për masakrat në Kosovë, atje u iniciua vetëm një rast.

Të gjitha këto pretendime do t’i tregojë para Kuvendit të Kosovës, ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons.

Se EULEX-i dërgoi dosje në Serbi, e konfirmoi  edhe ish-prokurorja e këtij misioni, Maria Bamieh. Këtë e bëri në vitin 2019,  në intervistë për emisionin Udhëve në televizionin publik.

“Kam treguar se të gjitha dosjet e serbëve për krimet e luftës janë dërguar nga EULEX-i për hetime në Serbi. Kjo është e vërtetë. Nuk i di numrat apo emrat e lëndëve, por e di se të gjitha lëndët ku të dyshuar janë serbët janë kthyer në Beograd”, kishte thënë ajo.

Nëse do të kishte ftesë, ish-prokurorja Bamieh,  tani deklaron për RTK-në se është e gatshme të raportojë në Kuvendin e Kosovës, për skandalet në EULEX-it.

“Nëse do të ftohesha, do të isha e lumtur dhe e nderuar të jap dëshminë time para Kuvendit të Kosovës”, thotë Bamieh.

Ndërkohë, dorëzimi i dosjeve në Beograd nga EULEX-i, sipas avokatëve në Kosovë, nuk ishte strategji e duhur e këtij misioni.

“Besoj që Serbia e ka keqpërdor EULEX-in që me arsyetim se po i gjykojmë kriminelët në Serbi, kanë marrë dosje e dokumente nga EULEX-i, dhe pastaj ato i kanë përpunuar dhe mendoj që i kanë shfrytëzuar kundër qytetarëve të Kosovës, pasi dihet qëllimi i tyre”, ka thënë Hodaj.

Data se kur do të raportojë Malcom Simmons në Kuvend, ende nuk është vendosur.

https://www.youtube.com/watch?v=w8djmijU3MI&feature=emb_title

(Kosova Sot Online)