Bashkimi Evropian ndihmon Norvegjinë për transportin e vaksinave drejt Kosovës
Bashkimi Evropian ka vendosur ta ndihmojë Norvegjinë për shpërndarjen e mbi 180 mijë dozave të vaksinave Anti-COVID të AstraZenecas në Kosovë.
Kosova ka kërkuar ndihmë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për transportimin e mbi 180 mijë vaksinave që Norvegjia i ka ndarë për vendin.
Kërkesës i është përgjigjur pozitivisht Bashkimi Evropian i cili do të koordinoj dhe financoj deri në 75% të kostove për transportin e vaksinave.
Komisioneri për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, ka deklaruar se BE është e përkushtuar që të ndihmojë në ndarjen e vaksinave, derisa ka falënderuar Norvegjinë për ndihmë që i ka bërë Kosovës.
“Pandemia COVID-19 ka prekur të gjithë ne. BE është e përkushtuar të ndihmojë ndarjen e vaksinave globalisht – ne mund ta mposhtim pandeminë vetëm nëse veprojmë së bashku. Falënderoj Norvegjinë për ofertën e saj bujare për Kosovën. Qendra jonë e Koordinimit të Reagimit Emergjent është e gatshme të ndihmojë në lehtësimin e ndarjes së mëtejshme të vaksinave”, ka thënë ai.
Që nga fillimi i pandemisë, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE ka koordinuar dhe bashkë-financuar shpërndarjen e 140,000 maska dhe sende të tjera mbrojtëse personale, si dhe dezinfektues, gjeneratorë oksigjeni dhe teste antigene në Kosovë nga Sllovenia, Çekia dhe Franca.
(Kosova Sot Online)