
Lexoni edhe:
Studiuesit amerikanë thonë se vaksinat e Pfizer dhe Moderna sigurojnë mbrojtje nga COVID-19 për disa vite
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë bërë sot shqyrtimin e Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës“Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.
Me këtë rast është thënë se në Kosovë mungon një analizë e drejtimeve profesionale dhe se mungojnë punëtorët e kualifikuar, për shkak se të shkolluarit nuk po i përmbushin nevojat e tregut.
Deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani ka deklaruar se një numër i profileve në Kosovë nuk janë shikuar që nga viti 2013.
Ai ka thënë se ka mungesë të një analize të drejtimeve profesionale.
Kurse kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola tha se akoma në Kosovë ka një stigmatizim të shkollave profesionale e mungesë të hapësirave nga bizneset për punë praktike të nxënësve.
Ndërsa, Eliza Hoxha nga PDK-ja ka thënë se është shpresëdhënëse që pas tranzicionit në Kosovë vëmendje e veçantë u kushtohet nevojave të arsimit.
“Sot më shumë se kurrë është i domosdoshëm ndërtimi i sistemit arsimor gjithëpërfshirës. Të zgjerohet bashkëpunimi ndërinstitucional, të orientohen nxënësit në drejtimet që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Të ketë më shumë buxhet e fokus për stimulimin e nxënësve për shkollim në shkolla profesionale” është shprehur ajo.
Ajo i ka dhënë kritikë Qeverisë që nuk e ka trajtuar arsimin mjaftueshëm në programin e saj.
Ndërsa deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj tha se në Kosovë shkalla e papunësisë është e lartë derisa edhe numri i punëkërkuesve të diplomuar është tregues më i mirë i gjendjes së arsimit.
(Kosova Sot Online)