Zemaj: Janë mbledhur 20 milionë euro borxhe për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike, të fillojnë hetimet
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e sotme po shqyrtojnë rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për Raportin e Auditimit të performancës, zbatimi i rekomandimeve të raportit “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike dhe vlerësimi i rezultateve”.
Me këtë rast, ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh deputet nga radhët e LDK’së, Armend Zemaj ka thënë se shuma e borxheve për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shkon në 20 milionë euro.
Për këtë, ai ka thënë se duhet të bëhet një hetim se si janë grumbulluar këto borxhe e kush e ka lejuar këtë.
“Në raport thuhet se 20 milionë euro është shuma e borxheve. Duhet të ketë një hetim bazik se çfarë ka ndodhur me këto fonde. Duhet të kemi hetim se si janë grumbulluar borxhet e pse janë lejuar. Ekziston një raport që është në Ministrinë e Shëndetësisë, ndoshta që nuk është trajtuar mirë për shkak të gjendjes pandemike dhe mendoj se shërben dhe mund të përdoret si pjesë krahasimore me të gjeturat”, ka thënë ai.
Zemaj është shprehur se informacionet që i janë paraqitur atij nuk përkojnë me të dhënat e raportit të auditorit.
“Para meje është paraqitur një gjendje tjetër nga bordi për trajtim jashtëspitalor që nuk përkon me pasqyrën reale që është paraqitur në raportin e auditorit. Në raport paraqitet gjendje tjetër, ndërsa në raportin e auditorit tjetër. Dikush duhet të jep përgjegjësi dhe ministri aktual duhet të kërkoj se cila është e vërteta. Rekomandimit duhet të shtohet një hetim i këtyre fondeve dhe grumbullimit të borxheve”, ka shtuar ai.
(Kosova Sot Online)