Vëzhguesit e BE-së ia përmendin Vjosa Osmanit akuzat ndaj Valdete Dakës
Një raportqë i kishte shkuar presidentes së vendit, Vjosa Osmani, nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në muajin maj për zgjedhjet e 14 shkurtit, është publikuar sot nga Zyra e BE-së në Prishtinë. Pikërisht në këtë raport me 53 faqe, vëzhguesit e BE-së i kanë përmendur akuzat që Osmani i kishte bërë ndaj ish-shefes së KQZ-së, Valdete Dakës, në kulmin e fushatës. Por fjalët e BE’së nuk i kanë bërë përshtypje shefes së shtetit. Dy javë pasi e ka marrë raportin, Presidentja Osmani e ka shkarkuar Dakën.
Zyra e Bashkimit Evropian ka publikuar një raport për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.
Në këtë raport thuhet se këtë vit janë organizuar zgjedhje të parakohshme, që ishin provokuar nga kriza politike në vend.
“Përkundër një afati shumë të shkurtër kohor dhe sfidave të shkaktuara nga pandemia COVID-19, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i administroi zgjedhjet mirë dhe në mënyrë transparente, megjithëse problemet me votimin jashtë Kosovës e zvogëluan besimin në atë pjesë të procesit”, thuhet në raportin e zyrës së BE-së, ku më tej bëhet e ditur se dita e zgjedhjeve, pra, 14 shkurti, edhe nga vëzhguesit vendorë u vlerësua si e rregullt.
Vëzhguesit e BE-së kanë sqaruar se pavarësisht afatit të shkurtër për zgjedhjet e parakohshme, përgatitjet përfunduan me kohë.
Por, që telashe në këtë mes, sipas raportit, kishte pasi që në KQZ pati një atmosferë politike të polarizuar që ndikoi drejtpërsëdrejti në vendimmarrjen e KQZ-së. Kjo duke ditur që komisioni formohet nga përfaqësues të partive politike.
Në këtë pjesë janë përmendur edhe akuzat që kishte bërë atëherë Vjosa Osmani që mbante pozitën e ushtrues së detyrës së presidentit.
“Atmosfera politike më e polarizuar kishte një ndikim në vendimmarrjen e KQZ-së pasi Komisioni formohet nga përfaqësues të partive politike dhe nganjëherë duhej të zbatohej votimi me shumicë të thjeshtë pasi nuk ishte gjithmonë e mundur të merreshin vendime me konsensus. Kishte mosmarrëveshje të rëndësishme brenda KQZ-së midis përfaqësuesve të LVV dhe partive të tjera. Përveç kësaj, ushtruesja e detyrës së Presidentes Vjosa Osmani, e cila ishte në krye të listës së LVV, gjithashtu kritikoi publikisht kryetaren e KQZ-së para ditës së zgjedhjeve, duke e akuzuar atë për anshmëri dhe sjellje joprofesionale”, thuhet në raport.
Qasja që kishte Lëvizja Vetëvendosje dhe specifikisht deklaratat e atëherë u.d të presidentit, Vjosa Osmanit janë përmendur dy herë në këtë raport.
“Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, KQZ-së iu desh të merrte disa vendime të rëndësishme duke përdorur një shumicë të thjeshtë votash e jo me konsensusin e zakonshëm pasi kishte mosmarrëveshje të konsiderueshme midis përfaqësuesve të partisë kryesore LVV dhe partive të tjera shumicë shqiptare të Kosovës. Të dy përfaqësuesit e LVV në KQZ kritikuan Kryetaren e KQZ-së për kundërshtimin e propozimeve të LVV-së në lidhje me votimin jashtë Kosovës dhe certifikimin e kandidatëve. Vlen të përmendet se Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani e cila ishte në krye të listës LVV për Kuvendin e Kosovës, bëri deklarata publike duke akuzuar Kryetaren e KQZ-së për anshmëri dhe sjellje joprofesionale në udhëheqjen e KQZ-së”, thuhet në këtë raport të Bashkimit Evropian.
Në një op-ed të Tomas Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë që ka dërguar për Express,thotë se beson se kjo se është koha më e mirë për t’i adresuar këto rekomandime të BE-së dhe për ta filluar procesin e reformës së vonuar zgjedhore.
Zyra e BE-së në Kosovë, raportin e hartuar me detaje nga shkeljet që janë gjetur gjatë procesit por edhe me disa rekomandime, e ka dorëzuar në zyrën e presidentes Vjosa Osmani gjatë muajit maj. Raporti iu është dorëzuar edhe institucioneve tjera, qeverisë e zyrës së kryeparlamentarit.
Megjithatë, gjetjet e bëra e kritikat për deklarimet ndaj KQZ-së e specifikisht ish-kryetares së këtij institucioni, Valdete Dakës nuk u morën për bazë nga presidentja dhe zyra e saj.
Pak më shumë se dy javë pas takimit që pati me shefin e zyrës së BE-së e ku pranoi edhe raportin, Vjosa Osmani priti në zyrën e saj Valdete Dakën e të njëjtën e njoftoi për vendimin që ajo të lironte pozitën që mbante në KQZ që 11 vite.
“Znj. Valdete Daka i ndërpritet mandati si Kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës. 2. Vendimi hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, thuhet në vendimin e Osmanit.
Pas shkarkimit të Dakës kishin reaguar nga Zyra e BE-së.
“Jemi njoftuar për vendimin e presidentes Osmani për të shkarkuar shefin e KQZ-së, e për të caktuar një të ri. Është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës dhe që pavarësia e KQZ-së të ruhet duke siguruar përgatitje profesionale në kohë për zgjedhjet lokale dhe për reformat në ligjin për zgjedhje”, kishte shkruar Szunyog.
Vjosa Osmani nuk priti shumë pasi u ul në ulësen më të rëndësishme të shtetit që ta lirojë nga pozita Dakën, derisa, lidhur me këtë vendim pati edhe paralajmërime se mund të përfundojë për interpetim në Gjykatë Kushtetuese.
Acarimi i Osmanit me Dakën kishte filluar pasi që KQZ-ja kishte vendosur që të mos certifikohet lista me emrat e kandidatëve për deputet të LVV-së, ku bënte pjesë edhe Vjosa Osmani.
Për herë të parë, si u.d e presidentit, Osmani e kishte paralajmëruar se do ta shkarkonte nga pozita Dakën.
“Në rast se përballemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ-në për të shtyrë përpara agjenda partiake nga ana e anëtarëve të KQZ-së, do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për integritetin e KQZ-së dhe procesit zgjedhor. Ajo çfarë kemi parë dje në KQZ ka qene paprecedentë, e pahijshme dhe e papranueshme për një institucion që duhet të bëj çmos që ta mbrojë integritetin. Në transmetime të drejtpërdrejte u bë presion marramendës ndaj drejtorit të Zyrës për Certifikimin e Subjekte Politike”, kishte thënë Osmani.
(Kosova Sot Online)