Supremja rrëzon padinë e pejanes që kërkoi kompensim për lëndimet e shkaktuara nga kafshimi i qenit endacak

  • G.g /
  • 05 July 2021 - 11:23
Supremja rrëzon padinë e pejanes që kërkoi kompensim për lëndimet e shkaktuara nga kafshimi i qenit endacak

Beteja ligjore ndërmjet Komunës së Pejës dhe qytetares Seniha Gjeladini, ku kjo fundit kërkonte kompensimin e dëmit për lëndimet e shkaktuara nga kafshimi i qenit endacak, ka përfunduar në favor të kësaj komune. Kjo pasi Gjykata Supreme e Kosovë përfundimisht e ka rrëzuar padinë e Gjeladinit.

Një vendim i tillë është marrë më 9 qershor 2021, nga kolegji i Supremes i kryesuar nga Shukri Sylejmani, me anëtarët Muhamet Rexha dhe Beshir Islami. Këta të fundit kanë aprovuar revizionin e përfaqësues së Komunës së Pejës, avokates Drita Sopi-Gashi dhe kanë refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e paditëses, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe pse paditësja Seniha Gjeladini e kishe fituar kompensimin prej 3,157 euro nga Gjykata Themelore e Pejës, vendim i cili më pas ishte vërtetuar nga shkalla e dytë, padia e saj është rrëzuar nga Gjykata Supreme, me arsyetimin se nuk ishte provuar se qeni që kishte kafshuar paditësen ishte qen endacak.

“Në rastin konkret, paditësja nuk provuar në mënyrë të sigurte se është kafshuar nga qentë endacak. Ajo vet në padi ka theksuar se me datën 22 nëntor 2016 është kafshuar nga një qen, në oborrin e shtëpisë së saj, rreth orës 22:00, ku sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, paditësja nuk ka dëshmuar se është kafshuar nga qentë endacak”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Kjo gjykatë arsyeton se vendimet e Gjykatës së Pejës dhe Apelit, të cilat ishin në favor të paditëses, ishin vendosur në zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

“Qeni që e ka kafshuar ka mund me pasur pronar dhe pronari i qenit do të mund të përgjigjej sipas nenit 163 të LMD-së, pastaj ka mund të jetë i komshiut por ka mund të jetë edhe i paditëses apo familjarëve të saj, por ka mund të jetë edhe endacak, asnjë prej këtyre fakteve nuk është provuar. Më tutje, nuk është provuar se si është gjendur ai qen në oborrin e saj në natën kritike, a ka qenë i rrethuar oborri i paditëses me mur rrethues apo diçka të ngjashme, ku të gjitha këto fakte janë me rëndësi vendimtare për konstatimin e përgjegjësisë së të paditurës për kompensimin e dëmit në rastin konkret”, thuhet tutje në arsyetimin e Supremes.

Sipas Gjykatës Supremes, sikur paditësja të ishte kafshuar nga qentë endacak, atëherë do të ishte përgjegjëse Komuna e Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po të ishte kafshuar paditësja në rrugë nga qentë endacak, do të bëhej fjalë për përgjegjësinë eventuale të Komunës, mirëpo në rrethanat aktuale konkrete përgjegjësia për kompensimin e dëmit paditëses për kafshimin e saj nga një qen i panjohur në oborrin e saj, tani për tani nuk mund t’i vishet të paditurës si përgjegjësi”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Gjykata Themelore në Pejë, më 8 nëntor 2018, e kishte aprovuar padinë e paditëses Seniha Gjeladini, me të cilin vendim Komuna e Pejës obligohej t’ia kompensojë 3,157 euro, në emër të kompensimit të dëmi material dhe jo material si pasojë e kafshimit të qenit endacak në Pejë.

Aktgjykimi i shkallës së parë ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, më 21 janar të këtij viti.

(Kosova Sot Online)