Skandali i vaksinave, mijëra vetëve u injektohet ujë me kripë

  • G.g /
  • 06 July 2021 - 13:41
Skandali i vaksinave, mijëra vetëve u injektohet ujë me kripë

Mijëra vetë kanë rënë pre e një mashtrimi në Indi ku njerëzve u janë dhënë vaksina të rreme koronavirusit.

Një sërë personash kanë përfunduar në pranga për këtë skandal, mes tyre edhe mjekë e punonjës shëndetësore. Vishal Thakur, zyrtar i lartë i departamentit të policisë në Mumbai tha se njerëzve që prisnin të vaksinoheshin kundër Covid 19, u është administruar thjesht ujë me kripë.

Dozat e rreme llogaritet t`i kenë marrë të paktën 2500 persona. Ideatorët e skemës u merrnin dhe para viktimave të tyre, e deri tani kishin fituar gati 30 mijë dollarë. Zyrtari pohoi se mjekët e arrestuar kishin përdorur një spital për të lëshuar certifikata të rreme, e merrnin aty shishka e shiringa.

14 persona janë ndaluar deri tani, por vala e arrestimeve pritet të vazhdojë, thotë CNN.

India u gjunjëzua nga koronavirusi në periudhën prill-qershor, ku miliona vetë u infektuan e dhjetëra mijëra të tjerë vdiqën në mbarë vendin.

Pasi mbërritën pikun në muajin maj, rastet ditore nisën të bien duke lehtësuar trysninë mbi sistemin e mbingarkuar shëndetësor të vendit, ndërsa autoritetet i përshkallëzuan përpjekjet e tyre vaksinimit. Varianti indian e më i infektues i koronavirusit, Delta, po përhapet tani në pjesë të ndryshme të botës e në disa vende kërcënon të kthehet në shtamin mbizotërues.

(Kosova Sot Online)