I afrohet 200-ëshit numri i viktimave të vapës në Shtetet e Bashkuara
Shifra e të vdekurve nga vapa rekorde në pjesën veriperëndimore të Shteteve të Bashkuara ka shkuar në afër 200. Autoritetet shëndetësore deri më tani kanë raportuar për 116 të vdekur në shtetin e Oregonit dhe 78 në atë të Uashingtonit.
Të dhënat janë veçanërisht shqetësuese në shtetin e Uashingtonit për shkak të kontekstit historik. Vetëm shtatë të vdekur nga vapa u regjistruan në këtë shtet të ShBA-së nga mesi i qershorit deri në fund të gushtit vitin e kaluar. Mes viteve 2015 e 2020, atje janë regjistruar 39 të vdekur.j
“Kjo rritje e madhe e vdekshmërisë është tragjike dhe diçka që shumë njerëz kanë menduar se nuk do ta shohin kurrë në veriperëndim të Paqësorit për shkak të klimës kryesisht të mesme”, thotë Dr. Scott Lindquist, shef i sektorit të shëndetësisë në shtetin e Uashingtonit.
“Por klimat janë duke ndryshuar dhe po e shohim dëshminë e kësaj me ngjarje dramatike të motit, vërshime të mëdha, zjarre historike në pyje dhe më shumë”, shtoi ai.
Në Oregon, shumica e të vdekurve u regjistruan në rajonin Multnomah. Shumë prej tyre nuk kishin freskuese të ajrit apo kondicionerë dhe vdiqën të vetmuar në shtëpitë e tyre. Viktima më e re ishte 37-vjeçare, ndërsa më e vjetra 97, shkruan The Guardian.
Vala e vapës e ka përfshirë edhe pjesën perëndimore të Kanadasë, ku në rajonin British Columbia besohet se nga temperaturat e larta kanë vdekur rreth 500 njerëz.
(Kosova Sot Online)