Kërkohet paraburgim për prizrenasin që fotografoi një femër nga dritarja
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prizrentit, që të caktohet masa e paraburgimit për personin që fotografoi fshehurazi një femër nga dritarja.
Zyrtarja për media nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, Fitore Mehmeti-Sejrani konfirmoi për Telegrafin se po ashtu është bërë kërkesa edhe për sekuestrimin e një telefoni.
“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se, me datë 08.07.2021 pranë Gjykatës Themelore në Prizren, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin A.B., për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale ‘Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara’ nga neni 202 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Po ashtu, Prokurori i Shtetit, pranë kësaj Gjykate ka parashtruar kërkesë për sekuestrimin e përkohshëm të një (1) telefoni. Rasti në fjalë është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prizren, andaj për rrjedhën e mëtutjeshme do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Ndryshe, Policia e Kosovës sot ka njoftuar se ka arrestuar një person në Prizren, pasi që fotografonte një femër nga dritarja.
(Kosova Sot Online)