Mbi 31 milionë amerikanë përgatiten për temperatura rekorde
Më shumë se 31 milionë njerëz në pjesët perëndimore dhe jugperëndimore të Shtetetve të Bashkuara po përgatiten për një valë ekstreme të vapës, e cila pritet të sjellë temperatura jashtëzakonisht të larta këtë fundjavë.
Autoritetet kanë paralajmëruar se rekordi i temperaturës më të lartë mund të shënohet në shumë rajone të Kalifornisë dhe Nevadës. Zyrtarët kanë thënë se Las Vegasi mund ta kalojë edhe rekordin e të gjitha kohëve – 47 gradë, shkruan The Guardian.
Rreziku zyrtar nga vapa është vënë në nivelin “shumë i lartë” në pjesë të mëdha të këtij rajoni. Kjo nënkupton që banorët përballen me “rrezik shumë të lartë të sëmundjeve të lidhura me vapën për shkak të zgjatjes kohore të të nxehtit dhe për shkak të mungesës së lehtësimit gjatë natës”, tha Shërbimi Kombëtar i Motit.
Ky institucion tha se përderisa rreziku është pak më i ulët në zonat me lartësi më të madhe mbidetare, shumica e popullsisë mbetet e rrezikuar nga sëmundjet e lidhura me vapën, sidomos personat që janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta ose ata që nuk kanë sisteme të duhura të ftohjes apo hidratim.
Vala e vapës vjen pas rekordit të temperaturave në pjesën veriperëndimore të Shteteve të bashkuara dhë në perëndim të Kanadasë javën e kaluar. Rreth 200 njerëz raportohet të kenë vdekur nga temperaturat e larta vetëm në Oregon dhe Uashington, ndërsa afro 500 në Kanada.
Zyrtarët po u bëjnë thirrje banorëve që të qëndrojnë brenda shtëpive e banesave, të kërkojnë hapësira me kondicionerë të ajrit dhe të pijnë më shumë ujë. Disa distrikte madje kanë hapur qendra freskimi.
(Kosova Sot Online)