Rusia drejt krizës, përsëri shënon rekord viktimash nga Covid-19
Rusia shënoi 786 të vdekur nga Covid-19 në 24 orët e fundit, që është shifra më e lartë ditore e viktimave prej fillimit të pandemisë. Rekordi i mëparshëm u shënua vetëm para një dite – 780.
Përpos të vdekurve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 23.827 raste të reja infeksionesh, duke e çuar në mbi 5.8 milionë numrin e përgjithshëm të të infektuarve. Në anën tjetër, numri i viktimave ka shkuar në mbi 145 mijë.
Megjithatë, kritikët thonë se shifrat e infektimeve dhe vdekjeve ka gjasë të jenë shumë më të larta për shkak të raportimit të gabuar të disa vdekjeve dhe fshehjes së qëllimshme të të tjerave.
Rusia po përballet me rritje të numrit të rasteve. Zyrtarët shëndetësorë thonë se këtë po e shkaktojnë varianti më ngjitës, Delta, dhe zhvillimi i ngadalshëm i procesit të vaksinimit.
Vetëm rreth 15 për qind e popullsisë e ka marrë vaksinën. Shumë rusë thonë se arsye pse nuk janë vaksinuar është mungesa e besimit ndaj vaksinës vendëse, Sputnik V.
Pavarësisht shtimit të rasteve, qeveria ruse ka thënë se nuk ka plane për të vendosur izolim të ri mbarëkombëtar.
(Kosova Sot Online)