“Largohu nga këtu ta këpus kokën”, deklarohet i pafajshëm i akuzuari për kanosje
Është deklaruar i pafajshëm, N.S., i cili akuzohet se e kërcënoi me heqje të kokës, I. D.
Deklarimi i Sejdiut është bërë në seancën e së mërkurës në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti.
Pasi që është lexuar aktakuza nga prokurori Shefik Memeti, i akuzuari S. e ka mohuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk i kam kry kurrë këto veprime, që thuhen në aktakuzë dhe jam i gatshëm të shkoj deri në fund kësaj procedure”, ka deklaruar i akuzuari Sejdiu.
Meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Nexhat Aliu e ka njoftuar atë për të drejtën e tij, që në afat prej 15 ditësh të paraqesë kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave që gjenden në të.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 24 korrik 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj N. S., me arsyetimin se 25 qershor 2020, rreth orës 21:00, në fshatin Beguncë, me fjalë dhe gjeste seriozisht e ka kanos të dëmtuarin I.D.
Aty thuhet se fillimisht i dëmtuari kishte shkuar tek shtëpia e të pandehurit për t’i kërkuar borxhin, e në momentin që shkon tek shtëpia del bashkëshortja e tij dhe thotë se “N. nuk gjendet në shtëpi”. Tutje, sipas aktit akuzues, pasi që i dëmtuari insiston të takohet me të pandehurin, bashkëshortja e të pandehurit kishte hyrë brenda në shtëpi, e më pas del i pandehuri, me ç’rast i drejtohet të dëmtuarit me fjalët: “pse ke ardhë te shtëpia ime, prit se tash e sheh”, e më pastaj kthehet hynë në oborr e merr një sëpatë dhe niset në drejtim të dëmtuarit duke i thënë: “largohu nga këtu ta këpus kokën”.
Nga këto fjalë dhe veprime të të pandehurit, sipas aktakuzës, te tani i dëmtuari shkaktohet ankth, frikë dhe pasiguri për jetë.
Me këtë, S. akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
(Kosova Sot Online)