Prokuroria deklarohet për aksionin në Pejë, Istog dhe Klinë
Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë detaje lidhur me aksionin që është zhvilluar sot në Pejë, Istog dhe në Klinë.
Prokuroria ka konfirmuar që aksioni është zhvilluar mbi dyshimet për veprën penale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndaj disa zyrtarëve komunalë për ndërtimet e paligjshme.
Sipas prokurorisë në këtë aksione janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit.
Ndërsa, prokuroria nuk ka dhënë detaje nëse ka të arrestuar.
“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinioni publik se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, janë duke u kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog), me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme. Për këto veprime në teren janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Kosova Sot Online do të ju mbajë të informuar për aksionet që po zhvillohen.