Gazetari i Reuters-it vritet në luftimet mes forcave afgane e talibanëve
Gazetari i agjencisë Reuters, Danish Siddiqui, u vra të premten përderisa po mbulonte një përleshje mes forcave afgane dhe talibanëve afër një pikëkalimi kufitar me Pakistanin, tha një komandant afgan.
Forcat speciale afgane ishin duke luftuar për ta rimarrë nën kontroll zonën kryesore të tregut, Spin Boldak, kur gazetari Siddiqui dhe një oficer i lartë afgan u vranë në atë që ata e cilësuan si zjarr nga talibanët, i tha agjencisë Reuters zyrtari afgan.
Siddiqui ishte duke i shoqëruar forcat speciale afgane me bazë në provincën jugore të Kandaharit dhe ka qenë duke raportuar për luftimet mes forcave speciale afgane dhe luftëtarëve talibanë.
Ndaj vrasjes së gazetarit të agjencisë së njohur të lajmeve reaguan drejtori i përgjithshëm i Reuters-it, Michael Friedenberg, dhe kryeredaktorja Alessandra Galloni. Përmes një deklarate, ata thanë: “Ne do të kërkojmë urgjentisht më shumë informata, duke punuar me autoritetet në rajon.”
“Danish ishte një gazetar i jashtëzakonshëm, bashkëshort dhe baba i përkushtuar dhe koleg shumë i dashur. Mendimet tona janë me familjen e tij në këtë kohë të tmerrshme”, thuhet më tej në deklaratën e udhëheqësve të njërës prej agjencive më të njohura dhe më të besueshme të lajmeve në botë.
Gazetari tashmë i ndjerë më herët të premten i tha agjencisë Reuters se është plagosur në dorë me copëz granate. Ai mori trajtim mjekësor, por talibanët sulmuan përsëri. Në momentin e sulmit, Siddiqui, ishte duke biseduar me pronarët e dyqaneve.
(Kosova Sot Online)