Përplasen robotët, shpërthen zjarri në një depo të Londrës
Kompania “Ocado” ka kërkuar falje për anulimin e porosive të klientëve për shkak të zjarrit që shpërtheu në një depo. Raportohet se flakët u shkaktuan nga përplasja mes dy robotëve.
Rreth 100 zjarrfikës dhe 15 automjete për shuarjen e zjarrit ishin në vendin e ngjarjes në Erith, në ju të Londrës, të premten pasdite, shkruan Independent.
Qindra punëtorë u evakuuan, por nuk pati raportime për persona të lënduar. Zjarrfikësit thanë se zjarri kishte bazë të thellë, por është vënë nën kontroll në orët e para të së shtunës.
“Zjarrfikësit punuan fort dhe në kushte të vështira e temperatura të larta brenda depos”, tha komandanti i zjarrfikësve, Steve Vydelingum.
KentOnline raportoi se zjarri u shkaktua, kur dy robotë u ndeshën me njëri-tjetrin në rrjetin që shërben për paketimin e dërgesave.
Një zëdhënës i kompanisë “Ocado” tha se shkalla e dëmit nga zjarri ende është e paqartë, por askush nuk është lënduar, duke shtuar se mund të ketë pengesa në zhvillimin e aktivitetit, por se kompania do të punojë për ta rikthyer shërbimin normal sa më shpejt që është e mundshme.
Disa persona u ankuan në rrjete sociale për vonimin e porosive të tyre. Disa thanë se varen nga këto dërgesa, sepse janë në vetizolim për shkak të koronavirusit.
(Kosova Sot Online)