Ministri Murati i fton bashkatdhetarët të investojnë në Bonot e Diasporës

  • E. /
  • 21 July 2021 - 16:53
 Ministri Murati i fton bashkatdhetarët të investojnë në Bonot e Diasporës

Ministri i Financave, Punës dhe transferove, Hekuran Murati, ka ftuar bashkatdhetarët që të blejnë Bonot e Diasporës, përmes së cilave ai thotë se mund të investohet në kursime, për t’i vënë ato në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Murati ka shkruar në Facebook se Bonot do të jenë me maturitet 3 dhe 5-vjeçar.

“Bonot e Diasporës janë mundësi e mirë që ju t’i investoni kursimet tuaja duke i vënë ato në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, dhe njëkohësisht të përfitoni edhe interes nga investimi juaj. Pas arritjes së afatit kohor të maturimit (3 vite dhe 5 vite), investimi u kthehet në shumën e plotë që keni investuar“, ka shkruar Murati.

Ministri Murati ka bërë të ditur se afati për investim në Bono të Diasporës është deri më 18 gusht.

Reklamë

“Afati deri kur mund të investoni në Bono të Diasporës është data 18 gusht, dhe këtë mund ta bëni duke u drejtuar në njërën nga bankat partnere, nëpërmes të cilave bëhet shitja”, ka shkruar Murati.

Ndryshe, Bonot e Diasporës janë letra me vlerë të garantuara nga shteti përmes Ligjit mbi Borxhin Publik, i cili i jep përparësi kthimit të borxhit ndaj të gjitha shpenzimeve tjera të Qeverisë. Prandaj, investimi në Bonot e Diasporës mund të konsiderohet si investimi më i sigurt në Republikën e Kosovës.

Bonot e Diasporës emetohen gjatë  periudhës 21 korrik 2021 – 18 gusht 2021. Shuma minimale për blerje te Bonove është 10,000 euro, kurse shuma maksimale për një person në një bankë është 500,000 euro, ashtu që të sa më shumë persona të investojnë.

Afatizimi (maturimi) 3 vjeçar ka normë interesi 1.20%, ndërsa afatizimi 5 vjeçar ka normë interesi 2.20%. Fitimi nga ky investim është i liruar nga tatimi dhe paguhet çdo 6 muaj deri në përfundim të maturimit.

Për detaje rreth pjesëmarrjes në blerjen e letrave me vlerë, të interesuarit të kontaktojnë ndonjërën nga bankat komerciale, partnere në emetimin e Bonove të Diasporës: Banka Ekonomike, Banka Kombëtare Tregtare, Banka për Biznes, NLB Banka, ProCredit Bank, apo Raiffeisen Bank.

(Kosova Sot Online)