Kuvendi pritet ta votoj Ligjin që largon homologimin e automjeteve
Një muaj më parë, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 70 vota për kanë votuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.
Në seancën e sotme parlamentare, shqyrtimi për herë të dytë i këtij Ligji parasheh heqjen e homologimit si detyrim për të gjitha automjetet që importohen nga vendet e Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Norvegjia.
Ushtruesja e detyrës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në Kuvend kishte thënë se që nga viti 2009 ka pasur padrejtësi dhe se ka qenë në kundërshtim me rregullat e tregut të lirë.
“Në këtë legjislaturë kemi marr iniciativë për të korrigjuar një padrejtësi e cila në Kosovë vijon që nga viti 2009. Është vlerësuar që ky autorizim i ka siguruar ekskluzivitetin në kundërshti me rregullat e tregut të lirë. Ka pasur vërejtje dhe reagim nga Bashkimin Evropian dhe natyrisht shkelje të të drejtave të konsumatorëve për faktin se kanë qenë të udhëzuar të kryejnë shërbime vetëm te një operator”, ishte shprehur Kusari-Lila.
Në nenin 1 këtij Projektligji parashihet që, mjetet rrugore të reja që importohen dhe posedojnë certifikatë të konformitetit.
“Mjetet rrugore të përdorura, që importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian, Zvicra dhe Norvegjia, dhe që kanë qenë të lejuara për qarkullim të rregullt rrugor në vendin prej nga importohen”, thuhet në nenin 1.14.
Në këtë Projektligj, lista e shteteve të përcaktuara në paragrafin 1.14. të këtij neni, mund të ndryshohet ose plotësohet me vendim të ministrit, varësisht nga ndryshimi i standardeve.
Në nenin 2 të këtij Projektligji parashihet heqja e plotë e nenit 27 të Ligjit për Automjete që parasheh procedurën e mjeteve të përmirësuara dhe të riparuara.
Ndërsa në nenin e tretë thuhet se, “pronari i mjetit transportues është i obliguar të kërkojë që ndryshimet e bëra në mjetin e tij, e të cilat janë bërë me pëlqimin e tij, atëherë duhet të evidentohen pranë institucionit të autorizuar, në afat prej 30 ditësh nga dita e ndryshimit të bërë”.
Kryeministri Albin Kurti pas këtij vendimi ka reaguar duke thënë se ka filluar “fundi i zhvatjes përmes homologimit”.
“12 vjet radhazi kishim monopol në homologimin e automjeteve që pasuronte një oligark duke imponuar barrierë tregtare. Qytetarëve u duhen shërbime të mira e jo detyrime të padrejta. Tash është në duart e deputetëve të Kuvendit të Republikës që ta jetësojnë nismën ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 05/L – 132 për Automjete”, kishte thënë Kurti.
(Kosova Sot Online)