E veja e Oliver Ivanoviqit, ftohet të dëshmojë për vrasjen e tij në Prishtinë
E veja e ish liderit të vrarë të SDP-së Oliver Ivanoviq , Milena Popoviq është ftuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për të dëshmuar në gjyq, për vrasjen e bashkëshortit të saj, Ivanoviqit.
“ Kam marrë një thirrje për 1 shtator dhe dëshmia ime do të jetë në fillim të këtij procesi gjyqësor” ka thënë Popoviq për mediat serbe.
Gjykimi për vrasjen e liderit të SDP-së Oliver Ivanoviq , ka nisur më 6 korrik në Prishtinë. Gjashtë të akuzuarit në shqyrtimin fillestar ishin deklaruar të pafajshëm për vrasjen e Ivanoviqit.
Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 6 personave për vrasjen e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq.
Nedelkso Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsovic, Dragisha Mirkovic, Zarko Jovanoviq, Rade Basara, Zvonko Veselinoviq e Milan Radojicic akuzohen për 8 vepra të ndryshme penale, përfshirë vrasje e rëndë, pjesëmarrje dhe organizim i grupit kriminal e keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë vepruar si grup kriminal që nga 2011-a dhe një pjesë e anëtarëve të grupit e kanë përcjellë Ivanoviqin, megjithëse nuk është e qartë se kush konkretisht e ka kryer vrasjen.
Por, ata që Prokuroria i konsideron udhëheqës të grupit kriminal, Milan Radojiçiq, Zvonko Veselinoviq, si dhe Zhelko Bojiq, shef i operativës së Policisë për komunat veriore, vazhdojnë të jenë në arrati, derisa së fundi Prokuroria Speciale kishte tërhequr fletëarrestin ndërkombëtarë ndaj Radojçiqit pa dhënë ndonjë arsye për këtë.
(Kosova Sot Online)