Lista Guxo certifikohet në KQZ për zgjedhjet lokale në Ferizaj

  • G.g /
  • 23 July 2021 - 13:20
Lista Guxo certifikohet në KQZ për zgjedhjet lokale në Ferizaj

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë certifikuar dy subjektet e para për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Iniciativa e formuar nga Vjosa Osmani, në krye të së cilës tani është ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do të garojë e vetme në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin e zyrës për media të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Iniciativa Qytetare Lista Guxo certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj”, ka deklaruar për Express zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka bërë të ditur se sot u certifikuan subjektet e para politike që kanë aplikuar deri më tani për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Përveç Listës Guxo, është certifikuar edhe një iniciativë tjetër qytetarë, për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvend Komunal të Istogut.

“Iniciativa Qytetare Bashkë për Istogun certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Istog”, ka deklaruar Elezi.

Ndryshe, para pak ditësh, anëtarë të Listës Guxo, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre rreth zgjedhjeve komunale.

Ata janë larguar nga Lista Guxo, për të krijuar një iniciativë tjetër qytetare.

(Kosova Sot Online)