​Flamuri i Kosovës ulet në gjysmë shtizë në nder të viktimave të aksidentit në Kroaci

  • E. /
  • 26 July 2021 - 09:51
 ​Flamuri i Kosovës ulet në gjysmë shtizë në nder të viktimave të aksidentit në Kroaci

Flamuri i Republikës së Kosovës është ulur në gjysmë shtizë pas aksidentit tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.

Në nderim të viktimave të aksidentit që tronditi vendin, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur këtë të hëne ditë zie.

Të dielën rrugën për në Kroaci mori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me disa nga ministrat e kabinetit të tij.

Ai vizitoi të lënduarit të cilët po trajtoheshin në spitalin në Slavonski Brod.

Ndërsa mëngjesin e kësaj të hënë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë (MPJD), Donika Gërvalla ka treguar se dy nga personat e lënduar gjenden në mjekim intensiv e që njëri nga ta është në gjendje më stabile.

E dhjetë qirinj që simbolizojnë dhjetë jetët e humbura në aksidentin në Kroaci u ndezën pranë Teatrit Kombëtar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë mbrëmjen e së dielës.

(Kosova Sot Online)