Kamioni godet autobusin e ndalur, vdesin 18 punëtorë

  • E. /
  • 28 July 2021 - 09:59
Kamioni godet autobusin e ndalur, vdesin 18 punëtorë

Së paku 18 punëtorë imigrantë kanë vdekur, pasi një kamion u përplas me autobusin me të cilin po udhëtonin në rajonin verior të Indisë, Uttar Pradesh.

Udhëtimi i tyre prej 1.300 kilometrash nga Haryana në vendlindjen Bihar mbeti në gjysmë, kur autobusi u prish në distriktin Barabanki, shkruan BBC.

Disa prej punëtorëve ende ndodheshin në autobus, ndërsa të tjerët po flinin afër tij, kur aksidenti ndodhi në orët e hershme të së mërkurës. Policia i tha BBC-së se autobusi ishte më i ngarkuar sesa kapaciteti që kishte.

Një zyrtar policor në Barabanki tha se disa pasagjerë vendosën të flinin afër autobusit, përderisa vozitësi po kërkonte një mjeshtër për ta rregulluar autobusin.

“Është një incident fatkeq. Autobusi ndoshta u prish, sepse kishte rreth 140 pasagjerë, kur kapaciteti i tij ishte 65. Jemi duke u ndihmuar familjeve”, tha zyrtari policor, Yamuna Prasad.

Kryeministri Narendra Modi shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe njoftoi për ndarjen e rreth 2.700 dollarëve për to, ndërsa rreth 650 dollarë do të ndahen për secilin të lënduar.

Punëtorët nga Bihari shpesh udhëtojnë në rajone më të zhvilluara të Indisë për të gjetur punë. Ata kryesisht udhëtojnë me trena dhe autobusë për t’u kthyer në shtëpi për shkak të çmimit më të lirë.

(Kosova Sot Online)