Dyshohet se janë vjedhur 200 mijë euro nga Thesari i Shtetit

  • G.g /
  • 28 July 2021 - 13:08
Dyshohet se janë vjedhur 200 mijë euro nga Thesari i Shtetit

Transferi i 2.1milionë euro në adresa të privatëve nuk po del të jetë skandali i vetëm në Thesarin e Shtetit.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu pretendon se nga ky Thesar, së voni janë vjedhur 200 mijë euro.

Në Kuvendin e Kosovës, ai e ka pyetur publikisht ministrin e Financave, Hekuran Murati, pse e ka mbajtur të fshehtë këtë vjedhje.

“Pse duhet me mbajt të fshehtë kur vjedhjen 200 mijë euro. Nga Thesari i Shtetit i janë paguar një kompanie në mënyrë të kundërligjshme këto para”, ka thënë Haxhiu.

Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar ministri Murati.

Ky i fundit megjithatë e ka pranuar se është bërë një pagesë e dyfishtë. Fajin ia ka hedhur sistemit.

“Nuk është në Thesarin e Shtetit, as në Ministrinë e Financave, por në një organizatë tjetër buxhetore. Të gjitha mjetet janë kthyer deri në centin e fundit. Rasti është në prokurori, dhe prokuroria i merr masat”, ka thënë Murati.

Ai ka deklaruar se rreth këtij rasti nuk mund te jep më shumë detaje pasi që Prokuroria është duke i bërë hetimet, por ka marrë sërish reagimin e Haxhiut.

“Ju e konfirmuat se është bërë pagesë prej 200 mijë euro në mënyrë të kundërligjshme. Po të mos e ngritja unë këtë çështje ju nuk do të tregonit”, ka thënë Haxhiu.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Muratit.

Për këtë çështje, ai ka thënë se është mbajtur edhe konferencë për media.

(Kosova Sot Online)