Edi Rama për Mini-Shengenin: Deri më 1 janar do të ketë zero sekonda pritje në kufi

  • E. /
  • 29 July 2021 - 14:04
 Edi Rama për Mini-Shengenin: Deri më 1 janar do të ketë zero sekonda pritje në kufi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga Shkupi ka thënë se deri më 1 janar do të ketë zero sekonda pritje në kufi mes tre vendeve Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut që kanë marrë iniciativën e Mini-Shengenit e quajtur tani Open Balkan.

Rama ka thënë se s’ka problem për ato shtete që s’duan të ju bashkangjiten në iniciativë.

“Deri më 1 janar, do të kemi 0 sekonda pritje në kufi. të tjerët janë të mirëseardhur të na bashkëngjiten. Nëse vijnë, askush nuk i pengon. Boll me këtë na ftuan, s’na ftuan. Ishim në Tiranë gjashtë vendet, edhe aty diferenca ishte e qartë. Disa duan, disa s’duan. Nuk ka problem..nuk ka problem”, tha Rama.

Qeveria e Kosovës thotë se iniciativa e ‘mini-Shengenit’ është nismë pa vizion për rajonin.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, që deri tani njihej si “mini-Shengeni” Ballkanik.

Nga ky forum, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës “mini-Shengenit”, si mundësi e vetme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes.

Përmes një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.

(Kosova Sot Online)