ShBA-ja i vë sanksione të reja Kubës, a do t’i bashkëngjitet sërish MPJ-ja e Kosovës

  • E. /
  • 31 July 2021 - 10:13
 ShBA-ja i vë sanksione të reja Kubës, a do t’i bashkëngjitet sërish MPJ-ja e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të premten vendosën sanksione ndaj policisë së Kubës dhe dy udhëheqësve të saj si reagim ndaj shtypjes së protestuesve në këtë shtet. Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se do të ketë edhe masa të tjera. Nuk dihet nëse Ministria e Jashtme e Kosovës do të solidarizohet sërish me ShBA-në për këtë çështje, siç bëri ditë më parë.

Departamenti i Thesarit i ShBA-së tha se sanksionet, që u dukën goxha simbolike, janë reagim ndaj “veprimeve për t’i shtypur protestat paqësore, pro-demokratike në Kubë, që filluan më 11 korrik”, shkruan Reuters.

“Do të ketë më shumë, përderisa nuk ka ca ndryshime drastike në Kubë, të cilat unë nuk i parashikoj”, tha presidenti amerikan gjatë një takimi me udhëheqësit kubano-amerikanë në Shtëpinë e Bardhë.

Takim i tij erdhi në kohën kur ky komunitet i rëndësishëm politikisht po bën thirrje për më shumë përkrahje për protestat në Kubë, të cilat e paraqesin kryengritjen më të madhe popullore kundër qeverisë në dekadat e fundit në ishullin e udhëhequr nga komunistët.

Protestat në Kubë shpërthyen këtë muaj pas krizës më të rëndë ekonomike që nga rënia e aleatit të saj të vjetër, Bashkimit Sovjetik, dhe rritjes rekorde të rasteve me Covid-19. Mijëra njerëz kanë dalë në rrugë, të zemëruar rreth mungesës së të mirave materiale themelore, kufizimeve ndaj lirive civile dhe menaxhimit të pandemisë nga autoritetet.

Javën e kaluar, Ministria e Jashtme e Kosovës iu bashkua një deklarate të përbashkët të disa shteteve, përfshirë ShBA-në, për t’i dënuar arrestimet masive të protestuesve në Kubë. Për këtë veprim njoftoi edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, përmes një postimi në Facebook.

(Kosova Sot Online)