Pal Lekaj e padit Hysen Durmishin

  • E /
  • 02 August 2021 - 13:35
 Pal Lekaj e padit Hysen Durmishin

Ish-ministri i Infrastrukturës, tani deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka dorëzuar padi ndaj zëvendësministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturor, Hysen Durmishi.

Lekaj ka deklaruar se Durmishin e ka paditur për fyerje dhe shpifje. Kjo pasi ai thotë se në një emision televiziv, Durmishi i ka quajtur Lekajn dhe bashkëpunëtorët e tij ‘grup kriminal’.

“Sot e dorëzova padinë kundër fyerjeve dhe shpifjeve të zëvendës ministrit të MMPHI, H.Durmishit, i cili në një emision televiziv më quajti mua dhe bashkëpunëtorët e mi gjatë mandatit tim si ministër, si një ‘grup kriminal’.  Janë mësuar tani e një kohë të gjatë të vjellin vrerë, me fyerje e shpifje të paskrupullta kundër meje, kudo që kanë pasur mundësi. Bile me këto janë krekosur para popullit edhe si guximtar, duke u fshehur prapa imunitetit që ofron ligji kundër fyerjes dhe shpifjes për gjithë ato që fliten në Kuvend dhe në komisione parlamentare nga kushdoqoftë. Duke e parë se mosreagimi im po e nxitë edhe më shumë shpifjen dhe fyerjen kundër meje, vendosa që t’i drejtohem gjykatës. Aty duhet të tregojnë fakte për vërtetësinë e deklaratave të tyre. Tani e tutje, ose duhet ta rrudhin gojën ose do t’ju rrudhet xhepi. Zgjedhja është e tyre!”, ka shkruar Lekaj në ‘facebook’.

(Kosova Sot Online)