Turqia shpenzoi nën 2 për qind të parave për mbrojtjen e pyjeve, detyrohet të marrë aeroplanë të huaj

  • E /
  • 06 August 2021 - 10:08
Turqia shpenzoi nën 2 për qind të parave për mbrojtjen e pyjeve, detyrohet të marrë aeroplanë të huaj

Autoritetet turke, që po përballen me zjarret më të ashpra në natyrë në histori të vendit, janë akuzuar për dështim për t’u përgatitur për këtë rrezik, pasi të dhënat zyrtare treguan për shpenzim të një pjese shumë të vogël të buxhetit të ndarë për këtë çështje.

Qeveria e Presidentit Rexhep Erdogan është përballur me kritika se reagimi i saj ka qenë i ngadalshëm dhe jo i duhur. Kundërshtarët politikë e kanë vënë në pah mungesën e aeroplanëve për fikjen e zjarreve, që e detyroi Ankaranë të përpiqej sa më shpejt për t’i siguruar ata nga shtetet tjera.

Agjencia shtetërore e pylltarisë ka thënë se në pjesën e parë të këtij viti ka shpenzuar më pak se 2 për qind të 200 milionë lirave (rreth 24 milionë dollarë) të ndara këtë vit për ndërtim, projekte dhe pajisje që përdoren për t’i luftuar zjarret në pyje.

Për krahasim, Portugalia ka ndarë 224 milionë euro këtë vit për t’i luftuar dhe parandaluar zjarret në pyje, ndërsa Spanja 65 milionë euro, shkruan Reuters.

Qeveria turke e ka fajësuar mungesën e burimeve në Shoqatën Turke të Aeronautikës, duke thënë se kjo shoqatë ka dështuar që të mirëmbajë një flotë të aeroplanëve zjarrfikës, pavarësisht fondeve të konsiderueshme që ka.

“Ata thonë “S’mund t’i riparojmë aeroplanët për shkak të vështirësive materiale”, ndërsa kanë mundur t’i përdorin këto të holla për t’i rinovuar aeroplanët e jo për t’i shpenzuar diku tjetër”, tha ministri turk i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Demir Pakdemirli.

Në mesin e 16 aeroplanëve dhe 51 helikopterëve që janë pjesë e operacioneve ka nga Rusia, Spanja, Ukraina, Kroacia, Irani dhe Azerbajxhani.

(Kosova Sot Online)