Avokatët britanikë kërkojnë largimin e dy gjyqtarëve të Speciales nga detyra: Abuzuan me autoritetin

  • G.g /
  • 09 August 2021 - 10:39
Avokatët britanikë kërkojnë largimin e dy gjyqtarëve të Speciales nga detyra: Abuzuan me autoritetin

Gjyqtarët për krimet e luftës duhet të largohen nga detyra për “shpërdorim të autoritetit”, thonë avokatët në Mbretërinë e Bashkuar. Avokatët, pohojnë se ndjekja penale e veteranit kosovar të luftës që ka rrjedhur informacion është i motivuar politikisht.

Avokatët britanikë po kërkojnë që dy gjyqtarët e lartë të krimeve të luftës të largohen nga postet e tyre për “abuzim me autoritetin” mbi ndjekjen penale të një sinjalizuesi kosovar, shkruan media prestigjoze angleze “The Telegraph”.

Avokatët që përfaqësojnë veteranin kosovar të luftës Nasim Haradinaj pretendojnë se një prej gjyqtarëve i informoi diplomatët e BE-së për rastin e tij në një mënyrë që minoi pavarësinë e rastit dhe vendimmarrjen e paanshme gjyqësore.

Ata pretendojnë se gjyqtari i dytë ka komprometuar pavarësinë e tij duke ushtruar presion politik mbi gjyqtarët e tjerë dhe duke sugjeruar që Brukseli po i ushtron presion për dënime mbi krimet e dyshuara të luftës.

Rasti po shqyrtohet në dhomat e Kosovës dhe zyrën e prokurorit special, e cila u krijua në Hagë për të hetuar krimet e dyshuara të luftës me një kosto vjetore të vlerësuar prej më shumë se 40 milionë funta në vit.

Haradinaj, nënkryetar i Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është akuzuar për rrjedhje të informacionit për të cilin prokurorët pretendojnë se kanë rrezikuar dëshmitarët e mundshëm të krimeve të luftës duke i publikuar emrat e tyre.

Avokatët e tij pohojnë se ai dha informacionin – i cili u depozitua në tre kuti të veçanta të dokumenteve në tri raste të veçanta në zyrat e tij të shoqatës – në interes të publikut dhe se ai duhet të trajtohet si një sinjalizues.

Nasim Haradinaj, ka kritikuar hapur zyrën e prokurorëve si objektiv të padrejtë ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe injorimin e krimeve të supozuara të kryera nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe.

Ai gjithashtu ka sulmuar Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), nga i cili janë tërhequr shumë nga gjyqtarët në prokurori, dhe bëri thirrje që të gjithë ata që kanë kryer krime lufte gjatë luftës së Kosovës të përballen me ndjekjen penale, dhe jo vetëm njëra anë.

Haradinaj, i cili është mbajtur në paraburgim që kur është akuzuar, i tha gjykatës në paraqitjen e tij të parë se “kjo ndjekje është selektive, politike dhe e njëanshme.”

Avokati i tij, Toby Cadman, konfirmoi se ai po kërkonte përjashtimin e gjyqtares Ekterina Trendafilova, kryetare e gjykatës, dhe gjyqtarit Charles L. Smith, zëvendëspresident.

“Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer që është hedhur poshtë pa marrë parasysh argumentet,” tha Cadman.

“Mbetet pikëpamja jonë se çështjet e parashtruara në aplikim garantuan që t’i referohemi një Paneli prej tre gjyqtarësh, siç lejojnë rregullat, për t’u vlerësuar në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Tani do të shqyrtojmë se çfarë hapash të mëtejshëm mund të ndërmerren.

“E tëra që kërkojmë është që klienti ynë të marrë një gjykim të drejtë nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e krijuar me ligj.”, kishte thënë Cadman.

(Kosova Sot Online)