Prishet gypi i oksigjenit, vdesin nëntë pacientë me Covid-19

  • E /
  • 10 August 2021 - 09:46
 Prishet gypi i oksigjenit, vdesin nëntë pacientë me Covid-19

Nëntë pacientë me koronavirus kanë vdekur në një spital rus të qytetit jugor, Vladikavkaz, pasi një gyp oksigjeni shpërtheu nën tokë, duke e ndërprerë furnizimin në repartin e kujdesit intensiv, raportuan agjencitë ruse të lajmeve.

“Nëntë pacientë me koronavirus vdiqën për shkak të mungesës së oksigjenit”, raportoi agjencia TASS të hënën, duke e cituar Ministrinë e Shëndetësisë.

“Gjithsej 71 persona ishin në kujdesin intensiv, jo të gjithë patën furnizim me oksigjen”, e citoi kjo agjenci Ministrinë e Shëndetësisë.

Autoritetet rajonale janë pajtuar që Ministria e Mbrojtjes t’i furnizojë të gjitha spitalet e qytetit me oksigjen nga qyteza Mozdok, rreth 80 kilometra në veri të Vladikavkazit, shkruan Free Europe.

“Pati një shpërthim të gypit të oksigjenit nga rezervuari, i cili ndodhet nën tokë, dhe furnizimi me oksigjen u ndërpre”, tha ushtruesi i detyrës së kryetarit të Osetisë Veriore.

Ndryshe, Rusia ka shënuar disa incidente në spitalet me koronavirus, duke çuar në vdekjen e pacientëve gjatë pandemisë. Në mesin e incidenteve kishte shpërthim të zjarreve në spitale.

(Kosova Sot Online)