Ky vend kaplohet nga varianti Delta, çdo dy minuta nga një i vdekur

  • E. /
  • 14 August 2021 - 11:30
Ky vend kaplohet nga varianti Delta, çdo dy minuta nga një i vdekur

Me një të vdekur për çdo dy minuta, numri i viktimave të koronavirusit në Iran është duke u rritur shpejt. Varianti Delta e ka shtuar edhe numrin e infektimeve dhe spitalet po stërmbushen me pacientë.

Në këtë gjendje të vështirë, ka edhe mungesë të madhe të oksigjenit dhe materialeve të tjera. Shumë iranianë janë të zemëruar me udhëheqësit e tyre rreth fushatës së vaksinimit, e cila ka mbetur shumë prapa shteteve tjera.

“Gjendja është katastrofale. Spitalet e kanë arritur kufirin e tyre. Nganjaherë vetëm presin që pacientët të vdesin, sepse nuk ka trajtim për këtë numër të pacientëve”, thotë Amir Ali Savadkuhi, kryetar i Shoqatës së Kujdesit Intensiv në Iran.

Me shifrën ditorë të të vdekurve që ka shkuar në nivel rekord – mbi 500 – ditëve të fundit, ekspertët shëndetësorë thonë se numri i vërtetë i të vdekurve dhe i të infektuarve me gjasë është dukshëm më i lartë sesa shifrat zyrtare.

Irani zyrtarisht ka regjistruar mbi 4 milionë raste me koronavirus që nga fillimi i pandemisë dhe mbi 96.000 viktima. Analistët thonë se këto shifra janë të zvogëluara, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Shumë spitale kanë mbetur pa shtretër të lirë dhe disa hapësira janë improvizuar për t’u përballur me rritjen e numrit të rasteve. Pasi disa pacientë po trajtohen edhe nëpër dysheme, ka paralajmërime se sistemi shëndetësor është buzë kolapsit.

“Na duhet që të refuzojmë shumë pacientë, sepse vërtet nuk kemi hapësirë për t’i hospitalizuar. Ata mund ta humbin jetën”, thotë Savadkuhi. “Shumë punëtorë të spitaleve janë infektuar dhe janë në gjendje shqetësuese edhe pas marrjes së dy dozave të vaksinës”, shton ai.

(Kosova Sot Online)