IKSHP thotë se ia ndali turrin Delta-s, por SHBA-ja e futë Kosovën në listë të zezë

  • E. /
  • 25 August 2021 - 11:44
 IKSHP thotë se ia ndali turrin Delta-s, por SHBA-ja e futë Kosovën në listë të zezë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur Kosovën në listën e shteteve me rrezikshmëri të lartë dhe kanë sugjeruar shtetasit amerikan të mos ia mësyjnë Kosovës pas rritjes enorme të rasteve të reja me COVID-19 si rezultat i shpërndarjes së variantit Delta.

Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë para tre ditësh përmes një njoftimi për media kishte konstatuar se Kosova ka arritur që t’ia ndalë turrin variantit të ri të COVID-19, variantit Delta, edhe përkundër vdekjeve të shumta dhe rritjes enorme të rasteve të reja të infektimit me virus.

“Qytetarë të dashur! Delta variantit ia kemi ndalë turrin edhe pse akoma po raportohen shumë raste pozitive dhe shumë vdekje duke shprehur ngushëllime për të gjithë familjarët! Virusi bartet shumë shpejt prej një personi në dhjetëra persona tjerë me pasoja që në të shumtën e rasteve mund të jenë fatale e që fatkeqësisht preken edhe fëmijët”, thuhej në njoftimin e IKSHP-së të datës 22 gusht.

Por edhe përkundër këtij paralajmërimi të IKSHP-së, shifrat alarmante të rasteve aktive me COVID-19, kanë bërë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta fusin edhe Kosovën në listën e shteteve me rrezikshmëri të lartë.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e ka marrë këtë vendim duke qenë se në 28 ditët e fundit, Kosova ka pasur më shumë se 500 raste të infektimit për 100 mijë banorë.

Siç shkruan mediumi prestigjioz amerikan The New York Times, shtetasit amerikan udhëzohen që të shmangin udhëtimin drejt këtyre vendeve, ose të paktën sugjerohen që të jenë të vaksinuar nëse duan të shkojnë në ndonjë prej tyre.

 “Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve ka bërë një përditësim të këshillave shëndetësore, duke konstatuar se udhëtimi në 6 shtete është në nivel “tepër të lartë” të rrezikshmërisë, bazuar në rritjen rapide të rasteve të reja dhe shpërndarjes së variantit Delta. Sygjerohet që njerëzit të shmangin udhëtimin në këto shtete, ose nëse shkojnë të vaksinohen paraprakisht. Këto gjashtë shtete janë: Haiti, Kosova, Libani, Maroku, Bahahmet dhe St. Martin- të gjitha kanë më shumë se 500 raste për 100 mijë banorë në 28 ditët e fundit, duke bërë që CDC-ja ti vendos në kategorinë me rrezikshmëri më të lartë”, shkruan The New York Times.

Teksti NYT

Aktualisht Kosova ka 21 mijë e 922 raste aktive me COVID-19, derisa brenda 48 orëve të fundit kanë vdekur 30 persona. Vendi gjendet nën regjimin e disa masave anti-COVID, ku janë ndaluar dasmat, janë mbuyllur klubet e natës dhe është shkurtuar orari i gastronomisë.

(Kosova Sot Online)