E kaluara e errët e Dardan Krivaqës

  • 26 August 2021 - 10:57
E kaluara e errët e Dardan Krivaqës

Dardan Krivaqa, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares nuk është emër i panjohur në Ferizaj, ku ka kryer vepra të ndryshme penale.

Një nga nxënësit e shkollës fillore “Gjon Serreci” ka rrëfyer se kur ishte në klasë të gjashtë, Dardani, e kishte ndaluar për t’i vjedhur të gjitha gjërat që i kishte.

“Kemi qenë me një shok prapa gjimnazit në Ferizaj, kur Dardani na ka dalë me thikë dhe shokut ia ka marrë telefonin Nokia Gold. Këtë rast ai dhe shoku i tij nuk e kishin lajmëruar në Policinë e Kosovës për një arsye. Të gjithë kishim frikë nga ai”, shprehet tashmë 25 vjeçari, shkruajnë mediat kosovare.

Veprat për të cilat dyshohet Krivaqa janë si vijon: 11 raste për grabitje, 93 raste të vjedhjes dhe vjedhjes së rëndë, 1 rast dhunimi, 12 raste pranimi të gjërave të vjedhura, si dhe pesë lëndime trupore. Pavarësisht kësaj, Krivaqa jetonte i lirë së bashku me Marigona Osmanin, të cilën e dhunoi për vdekje dhe e la trupin e saj të pajetë në repartin e emergjencës së Spitalit Rajonal të Ferizajit.

E kaluara e dhunshme e Dardan Krivaqës

Dardan Krivaqa kishte ushtruar dhunë edhe ndaj të një të dashure që kishte në vitin 2017. I njëjti burim për mediat kosovare ka bërë të ditur që në qershor 2017 Krivaqa kishte ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij. Pas dhunës sistematike që ai kishte ushtruar ndaj saj, më 10 qershor të vitit 2017 Krivaqa e kishte sulmuar me thikë familjarin e ish të dashurës për shkak se i njëjti kishte tentuar ta largonte nga dhuna që Krivaqa i shkaktonte. Lidhur me këtë rast ishte hapur hetimi për “lëndim të lehtë trupor”.

Ndërsa në fund të vitit 2020, plagosi një zyrtar policor me thikë. Polici me inicialet Z.H. kishte konstatuar tre persona duke konsumuar lëndë narkotike dhe sapo i ishte afruar, Dardan Krivaqa i kishte vënë një mjet të mprehtë në fyt. Për të njëjtën vepër, i dyshuari Krivaqa ishte dënuar me burgim prej 180 ditësh.


(Kosova Sot Online)