Pacientë të lidhur për aparatet e frymëmarrjes duke luftuar për jetën, brenda Pulmologjisë në QKUK

  • E. /
  • 02 September 2021 - 08:08
 Pacientë të lidhur për aparatet e frymëmarrjes duke luftuar për jetën, brenda Pulmologjisë në QKUK

Në mesin e dhjetëra pacientëve të infektuar me COVID-19, në Klinikën e Pulmologjisë, dje kishte mbetur vetëm edhe një shtrat i lirë. Një shtrat për personin, i cili në këtë fatkeqësi do të ketë fatin që do ta ketë një vend se ku të mjekohet.

Çdo dhomë në Pulmologji është e mbushur me pacientë. Me të rinj dhe të moshuar. Gati se të gjithë të lidhur për aparatet e frymëmarrjes. Shihen mes vete, por zor se mund të flasin.

Një 80-vjeçar tregon se tashmë që dy javë është në luftë me virusin, e që gjendja e tij ka qenë shumë e rënduar.

Ai ka treguar se nuk është i vaksinuar kundër COVID-19, ndonëse duket pishman që nuk e ka bërë një gjë të tillë.

E dhomën e njëjtë me të e ndan një i ri. Virusi nuk e ka kursyer as atë e të rinj tjerë që kanë mbushur dhomat e Pulmologjisë.

Ndërsa familjarë te pacientëve sillen nëpër koridoret e klinikës dhe duken të lodhur e të humbur. Kërkojnë ndihmë për familjarët e tyre.

Ata qëndrojnë afër pacientëve, e u ndihmojnë në çdo gjë që kanë nevojë, kështu edhe u lehtësojnë punën punëtorëve shëndetësorë të cilët nuk janë të shumtë në numër.

Drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha, tregon se 88 pacientë të infektuar janë të shtrirë në këtë klinikë.

Ai thotë se gjendja e pacientëve është e rënduar, por stabile.

Hoxha tregon se në mesin e pacientëve, janë edhe 15 pacientë që janë të vaksinuar, ndonëse gjendja e tyre është më e mirë.

“Prej pacientëve të cilët i kemi të shtruar, 7 janë me dy vaksina, 8 janë me 1 vaksinë. Gjendja e tyre është më e mirë dhe shihet se klinikisht ata janë më të qëndrueshëm dhe me problem më të vogla edhe respiratore edhe në aspektin e pneumonive të dyanshme, radioligjikisht janë më pak të përhapura ato pneumoni dhe klinikisht janë shumë më stabil se rastet që janë të pa vaksinuara”, ka theksuar ai.

Në gjendje të rëndë janë edhe klinikat tjera COVID në QKUK e spitalet e përgjithshme.

Të gjithë pacientët e infektuar po luftojnë për të jetuar. Betejën më së lehti po e fitojnë ata që po vaksinohen kundër COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar raportin e fundit për gjendjen me COVID në vend. Brenda 24 orëve janë regjistruar 22 raste të vdekjes dhe 1.894 infektime të reja.

“Nga 14.284 testime, 1.894 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar 22 raste të vdekjes”, ka njoftuar MSh.

(Kosova Sot Online)