Lexoni edhe:
Zvarritjen e pastrimit të drejtësisë me procesin VETTING po e paguajnë me jetë qytetarët e pafajshëm
Organizata Botërore e Shëndetësisë po ndjek një variant të ri të koronavirusit, të quajtur Mu.
I zbuluar për herë të parë në Kolumbi, në fillim të vitit, Mu është raportuar në disa shpërthime sporadike të të infektuarve në pjesë të Amerikës së Jugut dhe Evropës.
Derisa përbën vetëm një pjesë të vogël të rasteve globale, shkencëtarët po studiojnë nëse ai ka karakteristika që e tejkalojnë mbrojtjen e krijuar nga vaksinimi ose infeksioni i kaluar.
Çfarë është varianti Mu?
I njohur edhe si varianti B.1.621, varianti Mu i koronavirusit është zbuluar në Kolumbi në muajin janar dhe tani është listuar si një nga pesë variantet e interesit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Kjo do të thotë se OBSH-ja e konsideron atë të vlefshëm për monitorim të veçantë, por e sheh si problem më të vogël potencial, krahasuar me variantet Delta apo Alfa, të cilat janë etiketuar si variante shqetësuese, për shkak të virulencës së tyre të shtuar.
Mu është varianti i parë i interesit që i shtohet listës qysh në muajin qershor. Atëbotë, në listë është përfshirë varianti Lambda.
Sipas raportit më të ri epidemiologjik të OBSH-së, Mu është renditur si “variant me interes” sepse ka një “grup mutacionesh që tregojnë veti të mundshme të ikjes imune”, që duhet të studiohen më tej.
Paul Griffin, ekspert i sëmundjeve infektive nga Universiteti Kuinsllend në Australi, thotë se ekspertët e shëndetit vazhdimisht i përcjellin “variantet e ikjes imune”, që mund ta kenë më të lehtë të infektojnë njerëz të vaksinuar përmes mutacioneve në proteinën e virusit.
“Nëse kjo proteinë do të ndryshonte ndjeshëm, atëherë sigurisht që ekziston mundësia që vaksinat tona të funksionojnë më pak”, thotë Griffin.
OBSH-ja ka thënë se duhen më shumë kërkime për të kuptuar efektet e variantit Mu, por, sipas dr Griffin, nuk ka ende prova që sugjerojnë se Mu i ik imunitetit.
Sipas OBSH-së, prevalenca e variantit Mu në infeksionet globale me koronavirus ka rënë qëkur është zbuluar për herë të parë, megjithatë “prevalenca në Kolumbi (39 për qind) dhe Ekuador (13 për qind) është rritur vazhdimisht”.
Ai përbën më pak se 0.1 për qind të të gjitha infeksioneve globale, por shpërthime të B.1.621 janë raportuar gjithashtu në pjesë të SHBA-së dhe Evropës.
Raporti i epidemiologjisë i OBSH-së thotë se të dhënat paraprake tregojnë se Mu duket se është më rezistent ndaj antitrupave.
Por, dr Griffin thotë se ato teste laboratorike nuk e japin pamjen e plotë se si funksionon imuniteti njerëzor në botën reale.
“Ato studime neutralizuese janë vërtet të dobishme… sepse janë mjaft të lehta për t’u bërë dhe janë mjaft të shpejta, por ato janë pjesë e rrëfimit dhe jo i gjithë rrëfimi”, thotë ai.
Cilat variante të tjera monitorohen nga OBSH-ja?
Mu është varianti i pestë që renditet nga OBSH-ja si variant interesi, ndërsa janë edhe katër variante të tjera më serioze, që janë etiketuar si variante shqetësuese.
Të nëntë variantet janë emëruar me shkronja të ndryshme të alfabetit grek.
Pesë variantet e interesit janë:
Eta, i zbuluar për herë të parë në shumë vende në dhjetor të vitit 2020;
Iota, i zbuluar për herë të parë në SHBA në nëntor të vitit 2020;
Kapa, i zbuluar për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020;
Lambda, i zbuluar për herë të parë në Peru në dhjetor të vitit 2020;
Mu, i zbuluar për herë të parë në Kolumbi në janar të vitit 2021.
Katër variantet shqetësuese, të cilat konsiderohet se kanë potencial për ta përkeqësuar pandeminë, janë:
Alfa, i zbuluar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në shtator të vitit 2020;
Beta, i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut në maj të vitit 2020;
Gama, i zbuluar për herë të parë në Brazil në nëntor të vitit 2020;
Delta, i zbuluar për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020.
Numri i varianteve të koronavirusit pritet të ndryshojë me kalimin e kohës, sepse sa më shumë që përhapet virusi, aq më shumë mundësi ka për të pësuar mutacione.
Griffin thotë se mënyra më e mirë për të kufizuar mutacionet e virusit është duke kufizuar përhapjen e tij.
“Sa më shumë njerëz që janë të vaksinuar, virusi ka më pak nikoqirë ku mund të jetojë”, thotë Griffin./REL
(Kosova Sot Online)