Lexoni edhe:
SHSKUK: Secili rast i vdekjes nga COVID-19, raportohet menjëherë
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë për dialog, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, të martën dhe të mërkurën do të zhvillojnë takime në Bruksel. Këtë e kanë konfirmuar edhe burimet e BE-së, por edhe ato të Qeverisë së Kosovës.
Gjatë të martës, pritet që delegacionet e të dyja shteteve të zhvillojnë takime me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ekipin e tij, ndërkaq më 8 shtator do të zhvillohet një takim ndërmjet dy delegacioneve, me ndërmjetësimin e bllokut evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se në këto takime do të diskutohen “çështjet aktuale” dhe për “rrugën përpara në vazhdimin e dialogut”. Ai ka thënë se blloku pret që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialog, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vizitat zyrtare.
SHSKUK: Secili rast i vdekjes nga COVID-19, raportohet menjëherë Lexoni edhe:
“Palët janë pajtuar për modalitete të qarta për shqyrtimin dhe zbatimin e vizitave zyrtare dhe kjo marrëveshje nuk do të duhej të politizohej. Vizitat nga të dyja palët duhet të bëhen në atë mënyrë që ndihmon procesin e normalizimit të raporteve dhe kontribon në punën e përgjithshme në kuadër të dialogut. U bëjmë ftesë palëve që të adresojnë dhe zgjidhin të gjitha mospajtimet, përfshirë vizitat zyrtare, në kuadër të dialogut dhe të promovojnë atmosferë e cila është në përputhje me pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në dobi të qytetarëve”, ka thënë Stano.
Serbia ka shprehur pakënaqësi, pasi Kosova ia ka ndaluar shefit të ekipit serb për dialogun, Petar Petkoviqit vizitën në Kosovë.
Më 3 shtator, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se ia ndaloi hyrjen në Kosovë Petkoviqit, pasi në tri vizitat e fundit të tij, ai kishte bërë “deklarata provokuese” dhe “haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse”.
Megjithatë, nga kjo Ministri nuk kanë sqaruar se cilat deklarata të Petkoviqit cilësohen si provokuese dhe nxitëse të urrejtjes.
Për ndalimin e vizitës së Petkoviqit, që sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ishte planifikuar që të zhvillohej më 3 dhe 4 shtator, pritet të bisedohet edhe gjatë takimeve në Bruksel.
Por, burimet në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se delegacioni që do të marrë pjesë në dialogun në Bruksel, që kryesohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, do të diskutojë me përfaqësuesit e BE-së për temat që kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes për energji, asaj për targat e veturave dhe për personat e zhdukur me dhunë. Ndërsa, në takimin me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së, e vetmja temë për të cilën Kosova është pajtuar që të jetë në rend dite do të jetë ajo për të zhdukurit me dhunë.
Burimet e BE-së kanë thënë se takimet e të martës dhe të mërkurës do të shfrytëzohen për të përgatitur një takim të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që pritet të zhvillohet më vonë gjatë muajit shtator.
Takimi i fundit në nivelin e lartë është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.
(Kosova Sot Online)