Gazeta zvicerane: COVID në Kosovë ka dalë jashtë kontrollit
Nëse në një vend së paku çdo i pesti test i koronës rezulton pozitiv, atëherë sipas definicionit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) pandemia është jashtë kontrollit. Ky definicion vlen për Kosovën, shkruan sot gazeta zvicerane "Neue Zürcher Zeitung".
Dy ditë para se qeveria e Kosovës të njoftonte për masat e reja kundër Covidit (kufizimi i lirisë së lëvizjes, shërbimi vetëm jashtë në gastronomi, etj.), incidienca 7-ditore arriti nivelin më të lartë gjatë pandemisë. Më 20 gusht numri i testeve pozitive kishte kaluar pragun prej 20 për qind. Nga ky nivel Organizata Botërore e Shëndetësisë flet për përhapjen e pakontrollueshme të virusit.
Ekspertja kosovare e çështjeve të shëndetësisë, Edona Deva, e cila punon për Community Development Fund në Prishtinë, i tha "Neue Zürcher Zeitung" se ditëve të fundit shënohet një rënie e lehtë e rasteve, por trajtimi dhe kujdesi ndaj pacientëve paraqet një sfidë të madhe. Në fund të javës së kaluar në Kosovë qenë të hospitalizuar 1200 pacientë me Covid-19. Më shumë se 90 për qind e tyre janë të pavaksinuar.
"Kosova ka njërin prej sistemeve më të dobëta shëndetësore të Europës. Në vitin 2019 qeveria ka ndarë vetëm 3,5 për qind e prodhimit të brendshëm bruto për sistemin shëndetësor. Mesatarja europiane është trefish më e lartë", shkruan "NZZ".
Edona Deva nga Community Development Fund e bën përgjegjës sistemin e dobët shëndetësor për numrin e lartë të të vdekurve. Më 29 gusht vdiqën 36 persona të infektuar me virus, numri më i lartë i viktimave që nga shpërthimi i pandemisë. Përllogaritur në proporcion me popullsinë e Zvicrës do të ishin 150 persona të vdekur, në Gjermani 1500.
Problemin më të madh në luftimin e pandemisë Deva e sheh te përpjekjet e mangëta për të kufizuar përhapjen dhe për të zbatuar masat. Që në shkurt ambasadori amerikan në Kosovë kishte njoftuar qendrën në Washington se Kosova po sillet sikur Covidi nuk ekziston. Kafeterinë ishin plot, maskat pothuaj nuk barteshin - ndërsa fushata e vaksinimit as që kishte nisur. Deri më tani vetëm 17 për qind e popullsisë kosovare janë vaksinuar plotësisht. Edona Deva thotë se autoritetet duhet t'u drejtohen direkt njerëzve me oferta për vaksinim. "Duhet shkuar nga dera në derë. Sidomos kur skepticizmi është i madh".
(Kosova Sot Online)