Ish-mjeku i UÇK-së: Ja kush i ka arkivat e UÇK-së, prej tyre u shkrua një libër dhe u bë Gjykata Speciale

  • E. /
  • 10 September 2021 - 09:18
Ish-mjeku i UÇK-së: Ja kush i ka arkivat e UÇK-së, prej tyre u shkrua një libër dhe u bë Gjykata Speciale

Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Liri Loshi ka shkruar për arkivat e UÇK-së.

Ai përmes një postimi në Facebook thotë se UÇK-ja nuk ka arkiva, por ka Serbia.

Loshi pyet se çka me iu bë njerëzve që thonë se ishin në krye të Gjyqit ushtarak dhe etiketon persona të dënuar prej ti.

Çka me iu bë atyre që kanë shkruar libër duke iu referuar “arkivave të UÇK-së”.

Loshi shkruan se komandantët nuk kanë bartur as laps e as letër, derisa i kritikon se janë bërë me diploma pas luftës në mënyrë të shpejtuar dhe të dyshimtë.

Ai shkruan se, arkivat i ka të hapura Serbia më shumë se një dekadë.

Sipas tij, nga ato arkiva u bë raporti i Dick Martit, libri i Karla Del Pontes dhe Gjykata Speciale.

Shkrimi i plotë:

UÇK nuk ka arkiva. Po çka me iu ba njerëzve që duan me tregu me çdo kusht rendin dhe rregullin që gjoja ka mbretëruar në luftë. Çohet njeri e thotë se ka qenë në krye të Gjyqit ushtarak dhe madje etiketon persona “të dënuar”prej tij, vetëm për ta treguar egon e vet. Tjetri që shkruan libër i referohet “Arkivit të UÇK-së” për faktografinë e tij “shkencore”. Dhe, fqinji ynë verio-lindor rri hazer me gjetë informacione të tilla që e bëjnë përgjegjëse UÇK-në në nivel institucional.

Komandantët tanë gjithçka mund të kenë bartur, por laps e letër jo. Ka edhe përjashtime, por shumica që unë kam njohur, nuk i kanë përdorur ato “vegla”. Ata u bënë me diploma pas lufte, me procedurë të shpejtuar dhe gjithsesi të dyshimtë.

E kur është fjala për Serbinë, po ajo ka arkiva dhe ato i ka të hapura që më shumë se një dekadë. Nga ato arkiva u bë raporti i Dick Martit. Nga ato arkiva shkroi libër edhe Karla Del Ponte. Nga ato arkiva u bë edhe Gjykata Speciale.

Prandaj s’ka asgjë të re sa i përket arkivave. Ne s’kemi arkiva të luftës, kurse Serbia ka arkiva kundër UÇK-së, por i ka të hapura dhe ne po i vuajmë pasojat.

(Kosova Sot Online)